Irena Beqiraj

Çfarë na mëson për tregun e punës së grave Claudia Goldin, nobelistja e tretë grua në ekonomi


Vitin e kaluar për herë të tretë në historinë botërore një grua fitoi çmimin Nobel në ekonomi, Claudia Goldin e cila ka studiuar për një kohë të gjatë tregun e punës së grave.

Rezultatet e kërkimeve edhe studimeve të saj janë interesante për këdo që ka përzemër barazinë gjinore.

Së pari, ajo ka rrëzuar tezën që ekonomistët kanë besuar prej kohësh se gratë i bashkohen automatikisht fuqisë punëtore ndërsa vendet bëhen më të pasura. Konkluzioni i parë i rëndësishëm i punës së Goldin është se rritja ekonomike nuk sjell automatikisht pjesëmarrje më të lartë të grave në fuqinë punëtore  apo barazi në nivelin e pagave ndërmjet dy gjinive.

Grafiku tregon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës që prej 1990

Ky përfundim mund të shpjegojë edhe luhatshmërinë në shkallën e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në Shqipëri e cila ka njohur ulje pavarësisht rritjes së shpejtë ekonomike në periudha të caktuara.

Pjesëmarrja e grave në tregun e punës  varet më shumë nga faktorë të tjerë ku përfshihen normat shoqërore, statusi familjar, veçanërisht ekzistenca  e fëmijëve edhe ligjet e kërkesës edhe ofertës në tregun e punës.

Përshembull një rritje në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore shpesh ka ardhur si rezultat i rritjes së kërkesës për punë kërkesë e cila tejkalonte ofertën e punëtorëve.

Konkluzioni i dytë i rëndësishëm i kërkimeve të Goldin është se hendeku i pagave ndërmjet burrave dhe grave shpjegohet kryesisht nga ardhja në jetë e  fëmijëve edhe jo diskriminimi edhe paragjykimi. Sipas saj, përfitimet  e burrave dhe grave( sidomos atyre të arsimuara)  priren të kenë trajektore të ngjashme deri në kohën kur një grua bëhet nënë për herë të parë.

Claudia Goldin

 Pra është “dënimi i ëmbël i fëmijëve” që peshon më shumë mbi pagat dhe rezultatet e karrierës sesa paragjykimet apo diskriminimi.

Goldin ia atribuon këtë rezultat karakteristikave të punës profesionale si kërkesa për energji mendore të vazhdueshme, orët e gjata, oraret jofleksibile, karakteristika këto që janë të papajtueshme me kërkesat e një familjeje në rritje.

Përshembull gratë në Shqipërinë e shekullit të 21 kanë njohur zv/kryeministra që me bllok në dorë kontrollonin çdo mëngjes në institucione të ndryshe paraqitjen në punë.

Zgjerimi i tregut të punës, arsimimi edhe trajnimi por edhe aranzhimet  fleksibël profesionale si puna nga shtëpia me orare më fleksibël që i përshtaten  nevojave të familjes do të ndihmonin gratë në tregun e punës  Natyrisht, jo çdo punë mund të adoptohet me ndryshime të tilla;  por pandemia tregoi se shumë prej tyre munden. 

Çmimi Nobel në ekonomi përfaqëson celebrimin të një ideje të çmuar ekonomike edhe Libri i Goldin  "Kariera dhe Familja: Udhëtimi i gjatë shekullor i grave drejt barazisë mund të ndihmonte shumë politikanë që kanë përzemër feminizmin, të gjejnë mekanizmat për të ndihmuar gratë në tregun e punës, duke i bërë ato më produktive për veten edhe për shoqërinë.


Copyright © Gazeta “Si”