Shendet

Ç’është ‘pneumonia misterioze’ që ka pushtuar Europën dhe a rrezikohet Shqipëria

Nga Gazeta Si – Prej dy javësh, vende si Franca dhe Gjermania janë alarmuar për rritjen e rasteve të sëmundjeve respiratore tek fëmijët.

Këto raste pasojnë një frikë që erdhi nga Kina, ku shtimi i rasteve alarmoi edhe OBSH, duke kërkuar nga Kina më shumë informacion për përhapjen e pneumonisë misterioze në Kinë.

Mosha dhe simptomat tregojnë se është mikoplazmë pneumonia, një bakter që prek fëmijët, me simptoma që në shumicën e rasteve kalohet lehtë.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka treguar për Gazetasi.al se çfarë është ky bakter dhe sa të rrezikuar jemi.

“Sëmundjet respiratore janë gjithmonë të pranishme në dimër dhe mikoplazmën e njohim prej rreth 70 vitesh tashmë”, thotë Alimehmeti, duke shtuar se ky është një lloj bakteri që shkakton pneumoni komunitare, pra kërkon komunitete si shkolla dhe nga ky bakter preken fëmijët.

“Prek përgjithësisht fëmijë nga 5 deri në 15 vjeç dhe çdo njeri e kalon, është thjeshtë çështje kohe se kur. Çdo vit shkakton raste që me këtë patologji, janë të lehta në përgjithësi. Ky bakter është i kudogjendur”, thotë Alimehmeti.

Mjeku epidemiolog sqaron për Gazetasi.al se kjo është një sëmundje që mjekët e njohin shumë mirë, duke qenë se një përqindje e madhe e pneumonive në vit janë nga mikoplazma pneumone.

Ai shpjegon se një arsye pse ka më shumë raste këtë vit në Kinë por edhe në Europë është se për 3 vite, fëmijët nuk janë infektuar, duke qenë se vendet kanë qenë në masa kundër Covid-19.

“Nga viti në vit, infektohen nga 1.3 për qind deri në 50 për qind e fëmijëve dhe pyetja është se në cilën përqindje jemi ne. Tani duket një përqindje e madhe sepse shumë fëmijë nuk e kanë kaluar gjatë viteve të pandemisë. Ky është dimri i parë për shumë vende pa asnjë masë parandaluese dhe mund të ndodhë që të ketë një ngarkesë infektimesh sepse do e kalojnë si sëmundje edhe popullata që në një situatë normale (pa Covid-19), do e kishin kaluar vitet paraardhëse”, thotë Alimehmeti.

‘Problemi’ me këtë sëmundje është se zgjat më shumë dhe njerëzve mund t’u duhen javë derisa të shfaqin simptoma dhe “sado të kujdesesh, nuk ruhesh dot nga një person që nuk ka simptoma”.

Nëse do ketë ngarkesë spitalore, Alimehmeti thotë se atëherë do merren masa, njësoj si u morën në Kinë me mbylljen e shkollave.

“Mbyllja e shkollave vetëm e ngadalëson por nuk e zhduk problemin sepse janë fëmijë dhe herët ose vonë do infektohen por ideja është mos të infektohen të gjithë në të njëjtën kohë”, thotë Alimehmeti i cili shton se nga mikoplazma nuk ka shpëtuar njeri por thelbi është tek njerëzit që vuajnë nga një sëmundje apo kanë imunitet më të dobët, për të cilët duhet të tregohet më shumë kujdes, edhe pse shumica e rasteve kalon vetë pa asnjë mjekim.

Për mikoplazmën pneumone nuk ka një vaksinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë