Shendet

Alarm i kuq/ Pneumonia misterioze prek fëmijët në Kinë, OBSH kërkon shpjegime

Autoritetet shëndetësore të Kinës janë në alarm të kuq pasi një pneumoni misterioze ka prekur fëmijët. Në të njëjtën kohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkoi Pekinit më shumë informacion në lidhje me epideminë që po përfshin Kinën veriore.

OBSH vuri në dukje se Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë informoi në një konferencë për shtyp në fillim të këtij muaji se kishte pasur një rritje të rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes, duke ia atribuuar ato heqjes së masave kundër koronavirusit.

“OBSH i ka bërë një kërkesë zyrtare Kinës për informacion të detajuar në lidhje me rritjen e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe shpërthimet e pneumonisë tek fëmijët,” tha organizata.

Masat e referuara nga OBSH, të cilat i ka analizuar shumë herë gjatë pandemisë së koronavirusit të ri, janë veçanërisht vaksinimi, mbajtja e distancës nga pacientët, mbajtja e pacientëve në shtëpi, testimi dhe shtrimi në spital nëse është e nevojshme, përdorimi i maskës, ventilimi i mirë dhe larja e shpeshtë e duarve.

Pasi autoritetet kineze dhe mediat kineze raportuan një rritje të rasteve të infeksioneve respiratore, duke përfshirë disa raste të pneumonisë te fëmijët në Kinën veriore, OBSH kërkoi më 22 nëntor “informacion shtesë epidemiologjik dhe klinik, si dhe rezultate të testeve laboratorike për këto shpërthime te fëmijë.

OBSH kërkoi gjithashtu informacion shtesë mbi tendencat e fundit në qarkullimin e patogjenëve të njohur, në veçanti SARS-CoV-2 (virusi që shkakton COVID-19), virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), i cili prek foshnjat, si dhe për shkallën e ngarkesës në sistemet shëndetësore, thuhet në deklaratë.

OBSH është në kontakt me punonjësit dhe shkencëtarët përmes bashkëpunimeve të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë