Shendet

Ç’duhet të dimë për Arcturus, variantin e ri të Covid-19 që ka shqetësuar edhe OBSH-në

Një nënvariant i ri i koronavirusit, XBB. 1.16, është përcaktuar si një "variant që do mbahet nën monitorim" nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Nënvarianti i Omicron është veçanërisht i përhapur në Indi, ku ka shkaktuar një rritje të infeksioneve dhe një kthim të maskave në pjesë të vendit.

Arcturus u zbulua për herë të parë në një mostër nga janari dhe tani është dokumentuar në 29 vende, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Është një nënvariant i variantit omicron, i cili u shfaq në fund të vitit 2021 dhe zëvendësoi deltën si variantin dominues në mbarë botën.

Nga fundi i shkurtit, lloji Arcturus përbënte 0.21 për qind të rasteve në mbarë botën. Një muaj më vonë, kjo ishte rritur në 3.96 për qind, sipas shifrave të OBSH-së. Në Shtetet e Bashkuara, vlerësohet se përbënte 7.2 për qind të infeksioneve me koronavirus deri më 15 prill, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

OBSH caktoi XBB. 1.16 një "variant nën monitorim" më 22 mars. Kjo do të thotë se varianti ka "ndryshime gjenetike" që mund të ndikojnë në karakteristikat e tij si virus, duke përfshirë një përparësi ndaj varianteve të tjera, por ndikimi epidemiologjik nuk është i qartë. OBSH po monitoron shtatë variante, duke përfshirë versionin BA.2 të omicron që shihet në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Një "variant nën monitorim" konsiderohet të jetë më pak shqetësues sesa një "variant me interes", i cili parashikohet ose dihet se është më i transmetueshëm ose virulent, ose i aftë të shmangë antitrupat, sipas OBSH-së.

Sipas OBSH-së, Arcturus është i ngjashëm me XBB-në mbizotëruese por ky variant i ri cilësohet si më ngjitës pas analizave të shumta.

Edhe pse përhapet më shpejt, nuk ka ende një indikacion që mund të çojë në raste më të rënda.

“Është ndoshta si çdo nënvariant tjetër dhe deri më tani nuk ka asgjë për t’u shqetësuar por kurrë nuk i dihet”, tha në një intervistë Paul Hunter, pedagog i mjekësisë në Universitetin e Anglisë

“Ndoshta do të bëhet varianti dominues për një kohë në SHBA dhe Europë dhe në shumicën e vendeve anembanë botës, por nuk e shoh që të nxisë infeksione të rënda më shumë sesa kemi parë në valët e fundit”, thotë ai.

Si është situata në Indi? Dhe ku tjetër është raportuar Arcturus?

Në Indi, numri i rasteve të koronavirusit është rritur vazhdimisht në javët e fundit, me pothuajse 50,000 raste të regjistruar të premten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit, krahasuar me 13,509 në 30 Mars.

Arcturus ka zëvendësuar tashmë variante të tjera në Indi, sipas raportit të OBSH-së.

XBB. 1.16 është zbuluar në vende si Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada dhe Australi. CDC tregon se ky nënvariant po qarkullon në nivele shumë të ulëta edhe në shtete duke përfshirë Kaliforninë, Koloradon, Delaware, Florida, Indiana, Illinois, Iowa, Maryland, Missouri, Nju Jork, Karolinën e Veriut dhe Ohio.

“Duket se po përhapet më shpejt se çdo variant tjetër, por kjo është ajo që ndodh gjithmonë: vjen një variant i ri, ai përhapet mjaft shpejt për një kohë dhe më pas zbehet brenda një periudhe prej disa javësh dhe përfundimisht zëvendësohet nga një tjetër variant”, thotë Hunter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë