Ana e errët

Çfarë bënë djemtë e Tom Doshit? U rrahën për një foto Instagrami me shufra hekuri

Gazeta Si - Djemtë e ish-deputetit Tom Doshi u përfshinë në një sherr me shufra hekuri, duke rrahur një klient në një qendër estetike.

Sipas burimeve policore të Gazetasi.al, ata janë konfliktuar me të për një foto Instagrami.

Për këtë, ata thirrën në ndihmë edhe truprojën e tyre dhe kur klienti arriti të shpëtojë prej tyre, ai kërkoi ndihmën e policisë.

Por edhe kjo e fundit u dhunua gjatë tentativës për të mbrojtur 38-vjeçarin e përfshirë në konflikt.

Gjatë komunikimit me zyrtarë të policisë, Gazetasi.al mundi të mësojë detaje ekskluzive mbi këtë ngjarje, ndërsa djemtë e Doshit janë shpallur në kërkim nga policia.

Sherri në ish-Bllok

“Një person i gjakosur po vraponte dhe dy persona të tjerë po e ndiqnin dhe e qëlluan sërish”.

Kështu e nisin përshkrimin e vendngjarjes oficerët e policisë, që u njoftuan në radio se në rrugën “Ismail Qemali” në ish-Bllok kishte konflikt.

Sipas asaj që iu tregua nga policia Gazetasi.al, konflikti nisi përballë një qendre estetike dhe policët shkuan në vendngjarje.

Ata kapën në flagrancë E.L., (truproja) të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet në trup një  pistoletë “Bereta”.

Pas skanimit, arma e zjarrit rezultoi se ishte e dokumentuar si e truprojës së Tom Doshit në datë 23 shkurt 2021.

Por policia thotë se urdhëroi sekuestrimin e saj menjëherë pas ngjarjes së kësaj të hëne.

Të tre personat, njëri që po ndiqej dhe dy të tjerët, oficerët i përshkruajnë si të gjakosur.

Ndjekje me shufra hekuri

Sipas tyre, policët menjëherë reaguan, duke mbyllur derën për të marrë në mbrojtje të parin.

“Ai na tha se disa persona po tentonin ta vrisnin dhe që më pas një person kishte hyrë me forcë në godinë.

Duke thënë se ishte djali i Tom Doshit, ai iku në brendësi, duke zbritur shkallët së bashku me dy të tjerë që e shoqëronin.

Por dy persona të veshur me të zeza, erdhën dhe me një shkop metalik si të policisë, nisën të godasin atë që po mbrohej dhe që u identifikua si R.S.,”.

Policia thotë se ndërhyri për ta mbrojtur këtë person, duke neutralizuar edhe ata që godisnin, të cilët dëmtuan në dorë efektivët e policisë.

Më pas, aty kanë mbërritur edhe forcat “Shqiponja”, deklaron zyrtarisht policia për Gazetasi.al, duke bërë të mundur kapjen e personit.

Ndërsa efektivët e tjerë janë vënë në ndjekje të shtetasit që mbante në dorë shufrën e hekurit.

Ky person, sipas policisë, dyshohet se ishte djali i ish-deputetit, i identifikuar si James Doshi.

Konflikti, sipas policisë ka ndodhur mes R.S., dhe dy të rinjve James dhe Markos Doshi, vëllezër.

Dëshmitarja

Njëra nga punonjëset me inicialet E.B., që është e angazhuar në sallon, këmbëngul për policinë se dëgjoi zhurma dhe meqë njëra nga klientet ka nisur të qajë, pasi po shikonin nga dritarja konfliktin fizik, e ka marrë atë për ta qetësuar.

Sipas saj, njëri nga klientët që ishte përfshirë në sherr R.S., ishte klient në sallonin e saj.

U zunë për Instagramin

Por dëshminë më konfirmuese, sipas policisë për Gazetasi.al, e ka dhënë Y.A., i cili kujton se e kishte klient Markos Doshin, i cili është acaruar me R.S., edhe ai klient për disa foto në Instagram.

“Ata u zunë në pjesën e pasme të sallonit, ku dhe thyen një xham. Më pas Markos doli dhe u kthye me truprojën, i cili e goditi dhe që më pas doli dhe hasi në patrullën e policisë që e mori në mbrojtje. Ata u konfliktuan për një foto në Instagram”, mësohet të ketë thënë në polici Y.A.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë