Treg

Certifikohen 4 produktet e para ‘Made in Albania’, Krifca: Konsumatorët të gatshëm të paguajnë 50% më shumë për ta

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, prezantoi sot certifikimin e 4 produkteve të para të prodhimeve të origjinës, i cili sipas saj rrit e mbron markën “Made in Albania”.

Ato janë djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Këlmendit”, mjalti i Bedunicës, djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe si dhe djathi i dhisë nga bjeshkët e Rrunjës, Dibër.

Gjatë prezantimit Krifca tha se konsumatorët janë të gatshëm që të paguajnë 30-50% më shumë për produktet që vijnë nga një zonë e identifikuar për cilësinë e veçantë të prodhimeve dhe u shpreh se këto produkte përfaqësojnë një pjesë të traditës dhe identitetit kombëtar, gjë që e bën një komb apo shtet të njohur në botë.

Ajo tha se katër produktet e para të regjistruara si marka të mbrojtura kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë me karakteristikat e produktit, duke mundësuar vendosjen e logos kombëtare dhe prezantimin e tyre në treg.

Krifca shtoi se “vitet e fundit në Shqipëri, produktet tradicionale kanë filluar të njihen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët. Për më tepër, zhvillimi i agroturizmit si një trend i qëndrueshëm ka ndikuar në zhvillimin dhe promovimin e produkteve tradicionale, duke krijuar një lidhje natyrore midis agroturizmit, fermave turistike dhe prodhuesve vendas”.

Krifca theksoi se pas tyre, produkte të tjera të regjistruara si produkte të mbrojtuara me Tregues Gjeografik që do të certifikohen janë edhe Gështenja dhe Mjalti i Gështenjës së Tropojës, Mjalti Gështenjës së Reçit, Boronica e Bjeshkëve të Tropojës dhe e Bjeshkëve Kuksiane, Jufka Dibrane, Mishi i Dhisë së Hasit, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë