Futboll

Çelsi, 120 milionë euro për çmendurinë e radhës në merkato. Ziesh drejt PSG-së

Gazeta Si – Çelsi nuk ndalet më. Pasi ka shpenzuar gati 250 milionë euro në merkaton e janarit, klubi londinez është gati të bëjë çmendurinë e radhës në minutën e fundit. Objektivi është Enco Fernandez, për të cilin pronarët e Çelsit janë të vendosur të shpenzojnë 120 milionë të tjera, që do të mbulonin shifrën e plotë të klauzolës për prishjen e kontratës së argjentinasit me Benfikën.

Klubi portugez ka rezistuar ndaj përpjekjeve të Çelsit për mesfushorin kampion bote, por sipas shtypit sportiv britanik, ‘muri’ i Rui Kostës mund të bjerë në minutën e fundit. Akordi mes Çelsit dhe lojtarit është arritur, tani vendimi përfundimtar i takon presidentit të Benfikës.

Enco Fernandez, kampion bote me Argjentinën. Gazeta Si, 31 janar 2023

Informacionet nga Londra flasin për pagesën e menjëhershme të një kuote nga Çelsi, për të kompletuar më pas blerjen në 5 këste.

Interesi për Fernandez lindi menjëherë pas Botërorit të Katarit, por raporti mes dy klubeve u tensionua javët e fundit. Madje, trajneri i Benfikës, Roxher Shmidt, nuk i kurseu sulmet ndaj klubit të drejtuar nga Boehli, duke folur për sjellje jo korrekte.

Nëse Benfika do të bindet, për argjentinasin e datëlindjes 2001, i ardhur në Europë verën e kaluar, është gati një kontratë prej 10 milionë eurosh në sezon deri në 2030-ën.

Nga Çelsi ndërkohë mund të largohet Hakim Ziesh, që kërkohet nga PSG-ja. Klubi parisien po kërkon një zëvendësues për Pablo Sarabian dhe ka identifikuar pikërisht marokenin si profilin adapt. Lojtari pëlqehet edhe nga Milani dhe Roma në Itali, por klubi londinez do të privohej nga Ziesh vetëm në rast të shitjes përfundimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë