Kombetarja

Ceferin: Kukësi projekti i radhës, Shqipëria ka shanse për një finale

Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin kanë zhvilluar një konferencë shtypi para ndeshjes me Francën në ambientet e “Air Albania Stadium”, pasi vizituan muzeu e stadiumit. Duka e falënderoi Ceferinin për ndihmën që slloveni ka dhënë për ndërtimin e stadiumit të ri. “Së pari, i uroj mirëseardhjen presidentit të UEFA-s në këtë ditë të rëndësishme për futbollin shqiptar. Inaugurojmë sot veprën më të madhe sportive të Shqipërisë dhe dua ta falënderoj presidentin Ceferin jo vetëm për prezencën në këtë ditë të shënuar, por edhe për mbështetjen konkrete financiare që ka dhënë në realizimin e këtij projekti madhor” - tha shkurt presidenti i FSHF-së, Duka, për t’ia lënë më pas fjalën Ceferinit.

Kreu i UEFA-s ka pohuar mes të tjerash se në Shqipëri do të ketë të tjera investime, ndërkohë që vlerësoi përparimin e shpejtë të futbollit në vendin tonë, sidomos në infrastrukturë. “Infrastruktura është e rëndësishme për suksesin në futboll. Sot është një sfidë e madhe për Kombëtaren tuaj, sepse nuk luan çdo ditë me kampionët e botës. Armandi është miku im dhe dua ta falënderoj për mbështetjen e tij. Infrastruktura po përmirësohet shumë. Jam i sigurt se rruga juaj është ajo e duhura dhe këtë e them pa diplomaci. Me kaq pasion sa keni, do të keni sukses. Nuk mendoj se vetëm një kualifikim mjafton për ju.

Kemi projekte për të financuar në Shqipëri. Projekti i ardhshëm është stadiumi i Kukësit, por si president i UEFA-s nuk mund të jap premtime. Shqipëria e ka shansin për të pritur një finale europiane, por nuk do të ishte korrekte nga ana ime të jepja premtime. Nuk kam diskutuar me Kryeministrin Rama për detaje, sot jemi përqendruar vetëm te stadiumi i ri dhe ndeshja. Më vonë ndoshta mund të diskutojmë. Do të thosha se stadiumi i ri është më i këndshmi në Ballkan, një nga më të rëndësishmit në rajon. Nuk do ta krahasoja me Uemblin.

Racizmi? UEFA nuk është qeveria e një shteti, nuk mund të futë njerëz në burg. Kemi një politikë zero ndaj racizmit, por është e vështirë të luftohen idiotët. Për fat të keq, ka kore të këtyre grupimeve. Këto gjëra nuk ndodhin vetëm në vendet lindore, kemi parë në Itali dhe Angli. E gjithë Europa është e frikësuar” - ka theksuar në fjalën e tij presidenti i UEFA-s, Ceferin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë