Sociale

“Çdo ndryshim ligjor, u humb vota politikanëve…” Ç’kërkon komuniteti LGBTI

Në një vend si Shqipëria ku një shumicë dërrmuese besojnë se homoseksualët dhe lezbiket nuk duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën ashtu siç dëshirojnë, aktivistë të komunitetit LGBTI po përpiqen sistematikisht që disa gjëra të ndryshojnë. Nga rrëzimi i paragjykimeve, ndryshimet në Kodin e Familjes, në kurrikulat shkollore dhe deri te angazhimi i politikës dhe pjesëmarrja në politikë, përpjekjet e tyre duken titanike.
“Shoqëria nuk është ende gati, por po nuk e bëre shoqërinë gati, nuk do tëjetë”, thotë Arbër Kodra, aktivist LGBTI dhe Drejtor Ekzekutiv i organizatës “Open Mind Spectrum Albania” (OMSA). Duke folur për Gazetën “Si”, ai shprehet se “çdo ndryshim ligjor, është e barabartë me humbje votash” për politikën shqiptare.
Gjatë gjithë kohës, qoftë edhe para zgjedhjeve, organizata që ai drejton i ka rikujtuar qeverisë kërkesat e komunitetit. Sipas tij, komuniteti LGBTI nuk përfaqësohet dhe nuk u përmend në asnjë nga programet e partive politike. Jo vetëm kaq, por “kemi vënë re që politikanët shpalosin një gjuhë urrejtje dhe asnjëherë një qëndrim të hapur për sa i përket çështjes”.

Drejtor Ekzekutiv i organizatës OMSA, Open Mind Spectrum Albania

Sipas Kodrës, ndër kërkesat kryesore të organizatës janëndryshimet në Kodin e Familjes për sa i përket bashkëjetesës civile dhe njohjes ligjore të familjes mes dy personave të së njëjtës gjini,domethënë pa dallim gjinie.
“Jemi në pritje të konsiderimit të draft-ligjit për identitetin gjinor në mënyrë që personat transgjinorë të kenë mundësinë për ndërrimin e gjinisë,” shton Kodra.
Aktivisti shpjegon se ndër kërkesat kryesore të organizatës janë edhe ndryshimet që duhen bërë në kurrikulat mësimore, që të ketë një ambient mëgjithëpërfshirës dhe më të qetë përsa i përket komunitetit LGBTI.
Ndërkaq CRCA (Qendra për Mbrojtjen e Të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri)ka shpjeguar për mediet se një studimi Bankës Botërore e ka renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon si shteti që jo vetëm nuk pranon personat LGBTI, por që i diskriminon në shërbimet shëndetësore. Sipas raportit qëndrimet shoqërore ndaj personave LGBTI janë përgjithësisht negative dhe ndër më ekstremet në Evropë.
Duke u bazuar në një sërë raportesh të përbashkëta nga Ambasada PINK, UNDP, Bankës Botërore, CRCA ka konstatuar rreth 94% e shqiptarëve nuk përkrahin fëmijën e tyre nëse do ta zbulonin se ai i përkiste komunitetit LGBTI

  • 53 % e shqiptarëve besojnë se "homoseksualët dhe lezbiket nuk duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën ashtu siç dëshirojnë.
  • 1 në 3 persona LGBTI, është viktimë e dhunës fizike në familje.
  • 30 % e shqiptarëve nuk pajtohen aspak me marrëdhëniet e të njëjtit seks, shifër kjo që e rendit Shqipërinë si një prej vendeve më homofobe në rajon.
  • 66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë dhe transfobinë.
  • 70 % e mësuesve shqiptarë deklarojnë se nuk do ta pranonin një person LGBTI edhe sikur të ishte fëmija i tyre.
  • 25 % e punonjësve të administratës shqiptare, mendojnë se personave LGBTI duhet të kenë shërbime veç personave të tjerë.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë