Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana më 27 korrik bën 35 vjeç. Është një datëlindje e veçantë për ish-mbrojtësin, për shkak se për herë të parë, pas më shumë se 15 vitesh e feston atë jo si futbollist. Një vit më parë Cana deklaroi tërheqjen nga futbolli aktiv për shkak të disa problemeve që kishte me zemrën.
Por edhe pse tashmë i tërhequr nga fushat e blerta, Cana vijon të jetë lojtari më i preferuar për shumë tifozë shqiptarë. Dhe në një ditë të veçantë si kjo, nuk ka munguar urimet nga të gjitha anët. Kanë qenë futbollistë, ish-kolegë të Canës dhe miq të tij, që e kanë uruar ish-futbollistin gjakovar. Madje edhe presidenti i vendit, Ilir Meta ka shpërndarë një mesazh urimi për ish-kapitenin e kombëtares.
Në këtë mori të madhe urimesh, mungon njëri. Pikërisht urimi nga Presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Deri në mesditën e së premtes Armando Duka nuk kishte shpërndarë asnjë urim për ish-kapitenin e kombëtares që udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit historik në Kampionatin Europian “Rusi 2018”. Duket sikur për Lorik Canën që është lojtari me më shumë ndeshje me fanellën “kuq e zi” stafi që menaxhon faqen e kreut të futbollit shqiptar nuk është kujtuar.
Cana pas tërheqjes nga futbolli është angazhuar në disa fushata të ndryshme humanitare dhe promovuese të sportit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.