Lajme

Cakaj: Hapja e negociatave, mbi meritën e plotësimit të kushteve

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë një vizite zyrtare në Poloni është takuar me ministrin e Jashtëm polak, Jacak Czaputowicz për të diskutuar intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, agjendën evropiane të Shqipërisë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe koordinimin në kuadër të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë këtij takimi, ministri Cakaj ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen e pakursyer të Polonisë ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.
Gjithashtu, në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, rritja e shkëmbimeve ekonomike në fushën e turizmit dhe u dakordësua angazhimi i përbashkët për identifikimin e mekanizmave për të eksploruar dhe aktivizuar potencialet e pashfrytëzuara.
Takimi është fokusuar në rëndësinë e procesit të integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku kryediplomati shqiptar ka informuar homologun e tij mbi ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit, si dhe përmbushjes së kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian në muajin qershor të vitit 2018.
Ministri Czaputowicz duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, e ka siguruar edhe një herë ministrin Cakaj për avokatinë e fortë të Polonisë për një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë në muajin tetor 2019.
“Pritshmëritë e Shqipërisë për çeljen e negociatave në tetor nuk ngrihen mbi nevojën për ‘favore’, por mbi bazën e meritave. Është historike dhe e pandërmarrë nga ndonjë vend tjetër në rajon, zbatimi i reformës në drejtësi, krijimi i organeve të reja të gjyqësorit dhe dhënia e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur ministri Cakaj.
Ministri Czaputowicz përgëzoi qeverinë shqiptare për angazhimin e saj në marrjen e kryesimit të OSBE-së për vitin 2020, si dhe për kandidaturën si vend jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB për vitin 2022-2023. Ai siguroi për mbështetjen dhe ekspertizën e Polonisë në këtë agjendë të Shqipërisë.
Nё vijim, dy ministrat morën pjesë nё ceremoninё e hapjes sё Konferencёs sё Dytё të Tiranës, një forum dypalësh konsultativ, pёrmes tё cilit Polonia përcjell përvojën e saj për të asistuar Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë