Ushqim

Çaj i ftohtë në kushte shtëpie nga Shef Gledis

Me temperaturat e larta, ajo që ka nevojë më shumë trupi janë lëngjet. Në vend të çajrave të ftohtë që blihen në supermarket, kuzhinieri Gledis Gegaj jep për Gazetasi.al dy receta si mund të përgatisim çaj të ftohtë me limon apo pjeshkë, dy receta mjaft të kërkuara pasi “janë perfekte për verë dhe mund të përgatitet dhe për ta marrë me vete në një udhëtim të shkurtër apo në punë”.

Shef Gledis Gegaj

Receta për përgatitjen e çajit të ftohtë me limon:
2 Limona
1 L Ujë
6/7 lugë sheqer
3 Çaj pustinë

Qërojmë limonin dhe e presim në gjysmë. Më pas e shtrydhim. Në një tenxhere hedhim ujin dhe lëkurat e limonit bashkë me 6\7 lugë sheqer.

Pasi ka valuar uji, lihet pesë minuta duke valuar dhe më pas shtohet çaji pustinë. Pas pesë minutash hiqet çaji pustinë dhe hedhim lëngun e limonit. Më pas e filtroni dhe vendoset në frigorifer. Në një gotë me akull, hidhet masa e krijuar dhe është gati.

Receta për përgatitjen e çajit të ftohtë me pjeshkë:

1 L Ujë
3 Pjeshkë
5 lugë sheqer
3 Çaj pustinë

Prisni në kubikë tre kokrra pjeshkë dhe futini në 500 ml ujë bashkë me 5 lugë sheqer edhe lihen në zjarr derisa të valojë.

Në një enë tjetër shtoni 500 ml ujë dhe fusni në të 3 çaj pustinë. Pasi të ketë valuar uji me pjeshkat, lëreni dhe 10 minuta të tjera në zjarr duke e trazuar disa herë dhe më pas bashkojeni me ujin ku keni çajin pustinë. Trazojini bashkë dhe lëreni në frigorifer për një orë. Në një gotë apo një enë hidhni akull dhe kulloni lëngun e masës. Një pije freskuese në kushte shtëpie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë