Futboll

Bylisi i jep leksion Flamurtarit në miqësore, fiton më në fund Tirana

Partizani dhe Kukësi ishin skuadrat e vetme që u larguan nga Shqipëria për fazën përgatitore dimërore. Dy skuadrat kryesuese shkuan në Antalia, ku luajtën edhe disa ndeshje miqësore me kundërshtarë të fortë nga superliga turke dhe kampionate të tjera europiane.

Skuadrat e tjera të Superiores qëndruan në Shqipëri dhe ndeshjet miqësore i luajtën përgjithësisht mes tyre, apo edhe me kundërshtarë nga kategoria e parë. Pikërisht një ekip i kësaj kategorie, Bylisi, i ka dhënë një leksion të mirë Flamurtarit, duke e mundur me rezultatin e thellë 3-0. Miqësoret janë për të parë gjendjen e lojtarëve, por edhe rezultati diçka tregon: ballshiotët e kanë forcën për t’u ngjitur në elitë, kurse vlonjatët kuptohet qartë se kanë probleme. Kambanat e alarmit kanë nisur të bien për Flamurtarin.

Tirana, pas dy humbjeve me Skënderbeun dhe Laçin, ka arritur të fitojë në miqësoren e së mërkurës pasdite, kur mundi 3-1 Besën, me dy gola të Ernest Muçit dhe një të Albi Dokës. Sulmuesi i ri i kryeqytetasve shënoi edhe ndaj Skënderbeut, duke i treguar trajnerit Ardian Mema se meriton më shumë aktivizim në kampionat.

Nga miqësorja Kamza-Kastrioti, 1-1

Në ndeshjet e tjera miqësore të luajtura këtë mesjavë, Teuta mundi pastër Laçin, 2-0. Golat për durrsakët u shënuan nga Progni dhe Qato në pjesën e dytë. Skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi po funksionon shumë mirë dhe në gjysmën e dytë të kampioantit pritet të jetë rivale e denjë deri për titullin kampion. Kamza dhe Kastrioti, dy skuadra që janë të përfshira në garën e mbijetesës, kanë barazuar 1-1 në miqësoren mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë