Kombetarja

Bushi shpall listën me emra të rinj: Shqipëria U-21, së shpejti në Europian

Shumë emra të rinj në listën e trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi, për miqësoren me Slloveninë e më pas për kualifikueset e Europianit me Kosovën dhe Anglinë. Pritej të ndodhte kështu, duke ditur që një pjesë të mirë të titullarëve të ekipit Shpresa janë grumbulluar me Kombëtaren A, si Kallaku, Çokaj, Doka e të tjerë.

Ndër emrat e rinj të listës së Bushit janë Ahmet Korça, Amer Duka, Adrian Hajdari, Dean Liço, Agon Muçolli, Kristian Mata dhe Ksemend Mehmeti, këta dy të fundit nga kampionati shqiptar, përkatësisht nga Elbasani dhe Apolonia. Kthehet ndërkohë Anxhelo Ndreçka. Trajneri Bushi ka pohuar pas shpalljes së listës se situata aktuale është e pazakontë, sepse shumë lojtarë kanë shkuar në Kombëtaren A. Ai ka theksuar se Shqipëria U-21 shumë shpejt do të shkojnë në Europian.

Lista e Kombëtares U-21. Gazeta Si, 4 tetor 2020

“Në këtë grumbullim jemi detyruar të ndërrojmë lojtarë në listë çdo ditë, sepse disa klube përfitojnë nga rregulli i ri i FIFA-s për të mos i lejuar lojtarët të vijnë në Kombëtare. Kemi marrë shumë lojtarë dhe nuk e dimë se çfarë forme kanë. Na ka prishur punë edhe fakti që kampionati shqiptar nuk po zhvillohet. Bajselmani ka zgjedhur të luajë për Kosovën, jo për Shqipërinë. Nuk më intereson ç’bën Kosova ndaj Austrisë, në shohim vetëm ndeshjet tona

Duhet të luajmë mirë dhe të marrim maksimumin ndaj Sllovenisë. Këto ndeshje na ndihmojnë, është plus i madh të luajmë ndeshje miqësore. Na mungojnë disa lojtarë, që kanë shkuar tek ekipi i pare. Nuk është e lehtë kur largohen 10 lojtarë dhe vijnë 10 të tjerë. Kam menduar gjithmonë për kualifikimin dhe vitin e kaluar ishim shumë pranë.

Në një periudhë të afërt Shqipëria U-21 do të kualifikohet për në Euopian, jam i sigurt. Fituam ndaj Austrisë dhe më pëlqeu loja, por nuk do ta kemi të lehtë në ndeshjen tjetër, pasi na janë larguar shumë lojtarë. Nëse nuk do të ishin larguar lojtarë si Kumbulla, Selahi etj., jo vetëm që do të ishim kualifikuar në Europian, por do kishim kaluar disa ture aty”, - ka theksuar mes të tjerash në konferencë shtypi trajneri Alban Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë