Kombetarja

Bushi publikon listën: Thërrasim çdo lojtar që flet shqip!

Ekipi Shpresa i Shqipërisë luan në datat 11 dhe 16 tetor ndeshjet e radhës në grup me Spanjën dhe Estoninë. Trajneri Alban Bushi ka publikuar listën zyrtare me futbollistët e grumbulluar për këto dy ndeshje kualifikuese për Europianin 2019. Kuqezinjtë mbajnë vendin e parafundit në grup, me 6 pikë, edhe pse kanë një ndeshje më shumë. Nuk kanë shanse kualifikimi dhe qëllimi i trajnerit Bushi është të shohë elementët e rinj dhe që skuadra të konsolidohet për të ardhmen.

Janë 7 futbollistët e grumbulluar nga kampionati shqiptar për këto dy ndeshje dhe ata vijnë nga Partizani, Tirana, Skënderbeu, Teuta dhe Laçi. Nga të kuqtë janë thirrur mesfushori Esat Mala dhe sulmuesi Rubin Hebaj, nga durrsakët Esin Hakaj dhe Sherif Kallaku, nga Tirana Albi Doka, nga Skënderbeu Mario Dajsinani dhe nga Laçi Gentian Selmani. Bie në sy rikthimi pas një kohe të gjatë i mesfushorit Qazim Laçi, ish-kapiten i Kombëtares U-21, i cili luan në Francë (liga 2).

Kombëtarja U-21

Pasi bëri të ditur listën, trajneri Bushi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp: “Spanja na ka mundur 3-0 në ndeshjen e parë dhe e njohim mirë si kundërshtar. Nuk do të jetë e njëjta ndeshje. Deshëm të merrnim edhe sulmuesin Vrioni, i cili është grumbulluar me Kombëtaren A dhe tani duhet të gjejmë sulmues të tjerë. Jam i kënaqur nga ndeshjet që ka zhvilluar skuadra dhe nga fakti që kemi çuar futbollistë në ekipin e parë, por jo nga rezultatet. Kemi pasur probleme me mungesat gjithmonë.

Abazaj aktivizohet me Anderlehtin U-21 dhe do të na ndihmojë. Nuk është e thënë që lojtarët që nuk luajnë me ekipet e tyre, nuk mund të luajnë me ekipin tonë. Abazaj po stërvitet dhe është detyra jonë t’i ndihmojmë futbollistët kur ata kanë nevojë. Mala është i datëlindjes 1996, ka qenë në grup dhe do të jetë i rëndësishëm, nëse vazhdon kështu. Kombëtarja A ka shumë sulmues dhe trajneri mund të zgjedhë. Mund të vijë edhe rasti i Durmishajt. Shefiti dhe Zejnullahi do të jenë me ne muajin tjetër, sepse këtë herë kemi lojtarët e datëlindjes 96. Çdo lojtar që flet shqip, do ta thërrasim. Nuk është problem për ne se nga është”, – theksoi mes të tjerash trajneri i kuqezinjve 21-vjeçarë, Alban Bushi.

Lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Alban Bushi

Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë