Kombetarja

Bushi paralajmëron Kosovën: Jemi shqiptarë, por fusha është luftë!

Eliminatoret e Europianit 2021 e kanë vënë Shipërinë U-21 në të njëjtin grup me Kosovën dhe ndeshjet me këtë kundërshtar nuk do të jenë “vëllazërore” si më parë. Tashmë ka një dualizëm në distancë mes Shqipërisë dhe Kosovës, madje ka pasur edhe polemika në ndonjë rast, kur ndonjë lojtar i Kosovës ka vendosur të luajë për Shqipërinë. Trajneri i kuqezinjve të vegjël, Alban Bushi, në një prononcim për “Supersport”, ka folur për kundërshtarët në grup dhe për sfidën me Kosovën, ku thekson se disa nga lojtarët e saj e kanë refuzuar Shqipërinë, pasi kishin thënë më pare “Po”.

“Kur pashë Turqinë, më erdhi mirë, sepse kam kaluar një pjesë të mire të karrierës në atë vend. E kam mik trajnerin e Turqisë dhe pas shortit fola me të. Kurse Kosovën e prita si gjithë ekipet e tjera. Jemi shqiptarë, por do të jetë një ndeshje e luftuar, ku shpresoj të fitojë më i miri. Janë disa lojtarë të Kosovës që na kanë refuzuar, na thanë në fillim se do të vinin, por më pas zgjodhën Kosovën dhe duhet respektuar zgjedhja e tyre. Do të jetë ndeshje e ashpër, nuk diskutohet, pasi jam unë që kërkoj ashpërsi ndaj çdo kundërshtari. Lojtarët e dinë çfarë duhet të bëjnë në atë ndeshje, duhet të fitojnë”, - u shpreh Bushi.

Shorti i eliminatoreve të Europianit 2021 për U-21

Shqipëria ka në grup edhe Anglinë, Austrinë, Turqinë dhe Andorran. Një grup shumë i vështirë, por trajneri Bushi beson se të tijtë do të bëjnë diçka pozitive: “Çdo gjë mund të ndodhë. Anglia është favorite dhe mendoj se do të dalë në vend të parë, por sërish them se nuk i dihet. Edhe Spanja na mundi në minutën e 85-të. Kemi një grup shumë të mirë në këtë edicion dhe shresoj që lojtarët të vazhdojnë të luajnë rregullisht. Kemi sulmues të mirë, siç është Vrioni, që është edhe pjesë e ekipit të parë. Thuajse 70% e skuadrës ka qenë edhe edicionin e kaluar dhe kjo është pozitive. Do të jemi të fortë për çdo kundërshtar, edhe për Anglinë.

Rezultatet? Kemi çuar 4 lojtarë në ekipin A, Ramadanin, Abazajn, Ndojin dhe Manajn, me të cilët mund të kisha rezultate më të mira. Gjithsesi, është mirë që lojtarët shkojnë në ekipin e parë. E kuptoj edhe trajnerin Panuçi, sepse nuk ka pasur shumë lojtarë, për shkak të dëmtimeve”, - ka përfunduar Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë