Kombetarja

Bushi kërkon vendin e dytë në grup: E arrijmë, nëse vlerësojmë fanellën

Shqipëria U-21 i nisi me fitore kualifikueset e Europianit. Ajo mundi 0-3 Andorrën në ndeshjen e parë në grup, ndërsa nesër luan një miqësore me Bullgarinë në Sofie. Trajneri Alban Bushi ka folur për faqen zyrtare të FSHF-së, duke e nisur me paraqitjen e bërë në Andorra:

“Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim mbarë. Kishim vështirësi në ndërtimin e skuadrës para ndeshjes, duke parë mungesat. Shumë lojtarë janë të rinj në ekip, na ndihmoi disi fakti që e njihnim Andorrën, sepse kishim luajtur një vit më parë. I kërkova ekipit përqendrim dhe në asnjë moment të mos e nënvlerësonim kundërshtarin. E falënderoj skuadrën për shpirtin e garës.

Nuk luajtëm futbollin tonë karakteristik, ku bëjmë më shumë pasime dhe vertikalizime, sepse kundërshtari nuk ta lejonte, duke qëndruar me shumë lojtarë prapa. Përtej kësaj, të rëndësishme ishin 3 pikët dhe ne i morëm. Duhet të përmirësohemi për të përballuar skuadrat e tjera të grupit, që janë më lart se Andorra. Shpresoj që në ndeshjen e radhës në shtator të kemi të gjithë grupin dhe të bëjmë më të mirën. Dua të falenderoj edhe trajnerin Reja, i cili na lejoi të grumbullojmë Armando Brojën dhe Mario Mitajn”.

Kombëtarja U-21 feston një nga golat ndaj Andorrës. Gazeta Si, 7 qershor 2021

Trajneri i kuqezinjve të vegjël pastaj u fokusua tek objektivi, që është vendi i dytë në grup. “I kemi të gjitha mundësitë për vendin e dytë, kemi lojtarë shumë cilësorë, të cilët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Duhet të kuptojnë mirë rëndësinë e fanellës dhe që gjithë shqiptarët presin nga ne maksimumin. Për këtë duhet të sakrifikojnë dhe të përkushtohen. Nëse e bëjnë këtë në çdo ndeshje, do të arrijmë shumë lart në këto eliminatore”, - u shpreh Bushi.

Dhe në fund një koment për miqësoren me Bullgarinë: “Jemi në një situatë jo dhe aq të mirë sa i përket grupit të lojtarëve, duke parë dëmtimet dhe largimet. Me Bullgarinë është një test shumë i rëndësishëm, është një kundërshtar që i ngjan Ҫekisë, me të cilën luajmë në shtator. Do t’u japim mundësinë të gjithë lojtarëve që nuk luajtën në Andorra dhe pres shumë nga ata nesër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë