Kombetarja

Bushi i merr 4 lojtarë Panuçit, pret edhe talentin e Bajernit

Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen kualifikuese të Europianit 2019 me Spanjën dhe të miqësores me Italinë. Ndeshja e parë luhet në Spanjë, më 6 shtator, ndërsa miqësorja e luksit me Italinë zhvillohet më 11 shtator, në stadiumin e Sardenjës. Janë dy lista, që shumë pak ndryshime kanë nga njëra-tjetra. Bie menjëherë në sy fakti se lojtarë si Ylber Ramadani dhe Kristal Abazaj janë pjesë e ekipit Shpresa dhe jo Kombëtares së madhe. Me U-21-shin janë grumbulluar edhe portieri Gentian Selmani, i cili pak kohë më parë u grumbullua nga trajneri Panuçi, ashtu sikurse edhe mesfushori Keidi Bare, edhe ky i fundit i rikthyer te keqezinjtë e vegjël.

Konfirmohet kështu lajmi i Gazeta Si: Kristal Abazaj nuk është në listën e trajnerit Kristian Panuçi për ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë. Lojtari i Anderlehtit, edhe pse është 22 vjeç, do të luajë me Shpresat. Të njëjtin fat ka pasur edhe mesfushori Ylber Ramadani, titullar në ndeshjet e fundit miqësore të Kombëtares dhe tani në listën e Alban Bushit. Për Selmanin dhe Baren ndërkohë nuk është surprizë rikthimi me ekipin Shpresa.

Lista e Kombëtares U-21 për ndeshjen me Spanjën

Risi në listën e trajnerit Bushi janë afrimi i mesfushorit Arbnor Muçolli, i cili luan bashkë me Ramadanin te Velje në Danimarkë, dhe i sulmuesit Xhakomo Vrioni, që aktivizohet me Venecian në Itali. Marash Kumbulla ashtë një tjetër lojtar që trajneri i Shpresave ka grumbulluar, duke e marrë nga Kombëtarja U-19 si një nga elementët e saj më të mirë. Në listën e dytë të trajnerit Bushit, atë të miqësores me Italinë, ndryshimi është se nuk do të jetë pogradecari Endri Çekiçi, ndërkohë që shtohen mesfushorët Kastrijot Ndau dhe Marvin Cuni, si dhe sulmuesi Albion Ademi.

Gjatë konferencës për shtyp të organizuar në Shkodër, trajneri i kuqezinjve të vegjël ka theksuar se është shumë pranë grumbullimit edhe talenti i Bajernit të Mynihut, Meritan Shabani. Nëse ky i fundit pranon zyrtarisht të bëhet kuqezi, Kombëtarja jonë do të fitonte një lojtarë me vlera të mëdha, pasi jo më kot ai është pjesë e gjigantëve bavarezë. “Së pari dua të përshëndes lojtarët që kanë qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe tani nuk janë më për shkak të moshës. Në listë ka edhe lojtarë më të mëdhenj në moshë, të cilët jam i detyruar t’i marr, sepse kemi mangësi. Kemi bërë ndeshje të mira, pavarësisht se nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Kemi humbur pikë për mungesë eksperience. Jam i kënaqur, sepse trajneri Panuçi ka marrë 5 lojtarë të Shpresave në Kombëtare. Jemi ende në lojë për vendin e dytë. Nga Danimarka vjen  Muçolli, por kam edhe lojtarë si Doka e Hakaj që janë mbrojtës të mirë.

Lista e Kombëtares U-21 për miqësoren me Italinë

Në Spanjë besoj se do të shënojmë, por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nëse luajmë hapur ata na shkatërrojnë. Edhe nëse japim 100% dhe ata 30%, nuk ia dalim dot. Jam i kënaqur që kam Abazajn dhe Ramadanin. Në listë kam lojtarë të datëlindjes ‘98, por kam edhe të 96-ës. Abazajn dhe Ramadanin i mora, pasi nuk kam lojtarë të tjerë të vitit ‘98 në ato pozicione. Meritan Shabani i Bajernit të Mynihut është shumë pranë Kombëtares sonë. Kam arritur të bind edhe Xhiakomo Vrionin nga Venecia të luajë me Shqipërinë dhe do të jetë me ne në Spanjë. Mund dë them se është sulmuesi më i mirë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë”, - ka thënë trajneri Bushi në konferencën e shtypit. Shqipëria U-21 mban vendin e parafundit në grup me 6 pikë në 7 ndeshje. Vendi i dytë, që pretendon trajneri Bushi, mbahet nga Sllovakia me 12 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë