Kombetarja

Bushi e pranon: Kemi kontaktuar Ibrahimoviçin, mbase pret Gjermaninë

Gazeta Si – Para grumbullimit të Shqipërisë U-21 për ndeshjet kualifikuese të Euro 2025 me Rumaninë dhe Malin e Zi, trajneri Alban Bushi ka dalë sot në një konferencë shtypi. Ai foli për listën me 24 lojtarë, emra të veçantë që janë ftuar dhe për dy sfidat e radhës.

“Ndihem mirë që ndodhemi në vendin e parë, pavarësisht se kemi zhvilluar vetëm 4 ndeshje. Kundërshtarët kryesorë kanë një ndeshje më pak, por kjo nuk do të thotë asgjë. Vendi i parë është motivim për ndeshjet e radhës me Rumaninë dhe Malin e Zi. Mendoj se janë kundërshtarë shumë të fotë, i njohim shumë mirë, ashtu siç na njohin edhe ata. Do të bëjmë diçka ndryshe, duhet të jemi më të ekuilibruar”, - u shpreh Bushi fillimisht.

Pastaj ai komentoi listën, duke pranuar se është kontaktuar edhe sulmuesi i Frozinones, Arijon Ibhrahimoviç: “Risitë në listë? Janë dy lojtarë më perspektivë. Rashica është ditëlindja 2004, po ashtu dhe Beqja, janë lojtarë të perspectives. Rashica është hera e parë që vjen me ne, ka qenë lojtar i të rinjve të Kosovës dhe e falënderoj që ka zgjedhur të luajë me Shqipërinë.

Arijon Ibrahimoviç? Çdo lojtar shqiptar, kudo që është, në çdo kampionat të Europës, ne e kontaktojmë. Nuk diskutohet që ka pasur kontakte nga Shqipëria. Për arsye të njëanshme të lojtarit, mund të presë Gjermaninë ose diçka tjetër, nuk është thirrur.

Ne kemi marrë gjithmonë lojtarë shqiptarë nga Kosova. Nuk po marrim vetëm tani që ekipi A ka rezultate. Është zgjedhja e tyre, ne thjesht i kontaktojmë. Jo për të bërë polemika, por ne thjesht i kontaktojmë, nëse ata kanë dëshirë të vijnë të luajnë për Shqipërinë. Është një luks i madh që një lojtar të ketë mundësi të zgjedhë mes dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Të dyja Kombëtaret janë njësoj.

Roko Vata? Nuk është mirë të flas për një lojtar që luan për Irlandën. Presim pasaportën e Rashicës këto ditë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë