Kombetarja

Bushi-Dede shpallin listat, “përforcime” nga vende të tjera e klube me emër

Trajnerët e kombëtareve U-21 dhe U-19 të Shqipërisë, Alban Bushi dhe Nevil Dede, kanë publikuar sot listat zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës. Në ambientet e FSHF-së, dy trajnerët e kuqezinjve të vegjël, kanë folur në konferencë shtypi në lidhje me zgjedhjet e tyre.

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U-21, ka grumbulluar për ndeshjet eliminatore të Europianit me Turqinë dhe Andorrës disa lojtarë nga kampionati shqiptar, siç janë portierët Selmani (Laçi), Dajsinani (Skënderbeu) dhe Harizaj, ky i fundit nga Apolonia e Kategorisë së Parë, Mersinaj (Laçi), Mala, Hebaj (Partizani), Shehu (Kastrioti), Kallaku dhe Vila (Teuta). Interesant është fakti se lojtarët e rinj në listë janë Leorent Shabani dhe Din Sula, që kanë luajtur me kombëtare moshash të vendeve të tjera. Shabani ka luajtur më parë për 19-vjeçarët e Suedisë, kurse Sula me 19-vjeçarët e Belgjikës. Trajneri Bushi ka marrë në ekip edhe Emiljano Bullarin, i cili luan me Olimpiakosin dhe po joshet nga Greqia, që kërkon të bëjë të njëjtën gjë si me Fiorin Durmishajn.

“Është fillimi i edicionit dhe kemi dy mungesa të rëndësishme, Ademin dhe Kolajn, por nuk dua të ndalem te mungesat. Kemi një grup prej 45 lojtarësh të datëlindjeve ‘98-99, por kemi edhe Bullarin, që është një lojtar i perspektivës. Turqia është një skuadër shumë e fortë, që ka cilësi. Jam i informuar për gjendjen e kundërshtarëve, sepse 3-4 trajnerë të moshave kanë luajtur me mua. Ekipi është ribërë, por mendoj se do të bëjmë më të mirën ndaj Turqisë. Kemi një grup të mirë dhe jemi përforcuar me lojtarët e rinj si Bullari dhe Vrioni, që do të mbaj peshën e sulmit. Objektivi? Të luajmë bukur dhe mund të jemi surpriza e grupit. Edicionin e kaluar duhej të ishim në vend të dytë me lojërat që kemi bërë. Nuk është rezultati primar. Rezultati është diçka tjetër dhe rritja e lojtarëve është diçka tjetër. Në këtë listë mendoj se janë 3-4 lojtarë, që shumë shpejt do të bëjnë hapin e madh përpara”, - ka thënë Bushi. Shqipëria U-21 luan më 23 mars me Turqinë në “Elbasan Arena”. Skuadra jonë ka në grup edhe Anglinë, Austrinë, Kosovën dhe Andorrën.

Lista e Shqipërisë U-21

Nevil Dede, trajneri i Shqipërisë U-19, ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoren me Maqedoninë. Në listën e tij ka shumë lojtarë të kampionateve tona, nga Superiorja dhe Kategoria e Parë, por emrat që tërheqin vëmendjen janë Broja Çuni dhe Bajrami, pasi ata vijnë nga klube me shumë emër në Europë. Broja vjen nga Çelsi, Çuni nga Bajern Mynih dhe Bajrami nga Benfika. Murati dhe Rexhepi janë dy lojtarë që vijnë nga Shkëndija e Tetovës.

Lista e Shqipërisë U-19

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë