Politike

Bushati: 7 hapat që duhen ndjekur për tu anëtarësuar në BE

Për ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ka 7 hapa që Shqipëria duhet të ndjekë për tu anëtarësuar  në BE.  Nisur nga rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian, ku theksohet përmbushja nga Shqipëria e 15 kushteve  përpara mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare, Bushati nënvizon në kuptimin ligjor, Parlamenti Europian nuk ka kompetencë për të përcaktuar e numëruar listë me kushte apo detyra shtëpie për nisjen e negociatave.

“Kjo është një kompetencë e Vendeve Anëtare të BE-së, të cilat vendosin me unanimitet bazuar mbi propozimin e Komisionit Europian.

Parlamenti Europian ka miratuar disa herë Rezoluta në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën, por Vendet Anëtare të BE-së ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar.

Në rastin e aderimit të Shqipërisë, Parlamenti Europian ka për ta thënë fjalën e tij në momentin e shqyrtimit të Traktatit të Aderimit, siç e ka thënë edhe në rastin e shqyrtimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, sqaron Bushati.

Sipas tij, shqetësimet e shprehura nga eurodeputetë është mirë të sqarohen e të trajtohen në rrugë shtetërore, diplomatike dhe parlamentare.

“Nëse grupimet tona politike nuk ‘eksportojnë’ politikën e ditës tek grupimet politike respektive në Parlamentin Europian, një pjesë e mirë e këtyre shqetësimeve trajtohen lehtësisht. Këtë mësim, ndryshe nga ne, disa vende të rajonit e kanë mësuar me kohë. Sepse, në dallim nga Komisioni Europian dhe Vendet Anëtare, eurodeputetët nuk kanë grupe ekspertize për verifikimin e reformave në terren”, shkruan ai.

Për Bushatin thelbi është tjetërkund, duke radhitur plotësimin e 7 hapave.    

“Fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet i gjithë procesi....Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e procesit, do të shërbejë si platformë ballafaqimi e dy Kuadreve Negociues, atij të BE-së dhe Shqipërisë...Faza e tjetër është ajo e shqyrtimit të përputhshmërisë së legjislacionit dhe kuadrit institucional, ku Shqipëria do të prezantojë planet për arritjen e përputhshmërisë në mënyrë progresive. Pasi të kryhet ky shqyrtim (‘bilateral screening’), Komisioni Europian përgatit raportin e shqyrtimit për grup kapitujsh  e çdo kapitull negociimi, ku vlerësohet gjendja e rendit ligjor në raport me atë të BE-së, shkalla dhe planet për përputhshmëri të plotë, sikundër kapacitetet administrative dhe korniza institucionale...

Vetëm pas ezaurimit të hapave të mësipërm mbahet Konferenca Ndërqeveritare për hapjen e Kapitullit, ku palët ballafaqojnë pozicionet e tyre negociuese. Nëse në pozicionin negociues të BE-së për kapitull specifikohet se niveli i përputhshmërisë së Shqipërisë me standardin europian (‘acquis’) është i kënaqshëm dhe se nuk është e nevojshme që të zhvillohen negociata të mëtejshme, atëherë negociatat për kapitull mbyllen përkohësisht...Negociatat përfundohen me marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për të gjithë kapitujt...Pas mbylljes së negociatave, hartohet Traktati i Aderimit që nënshkruhet nga palët...Pas përmbylljes së procedurave të ratifikimit, vendi bëhet zyrtarisht anëtar i BE-së”, shkruan Bushati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë