Drejtësia

Burg për burrin që plagosi gruan me thikë: Fëmijët mbetën pa shkollë, ajo prishte paratë e mia!

Gazeta Si - Gjykata e Korçës ka lënë në burg, 46-vjeçarin Aleko Myrtollari, i cili goditi me thikë bashkëshorten e tij mbrëmjen e së dielës, e cila nodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.

Gjatë seancës, ai ka pranuar autorësinë, por është shprehur se nuk e ka bërë me qëllim. Myrtollari ka shprehur pendesë për ngjarjen, ku për mediat tha se shkak për situatën është bërë pasi bashkëshortja ia prishte paratë dhe nuk edukonte fëmijët.

Përpara gjykatësit, që dha masën e sigurisë “arrest në burg”, ai ka pranuar se veprimin e ka kryer nga xhelozia.

“Më mbetën fëmijët pa shkollë për shkak të gruas dhe nuk u edukuan mirë. Unë punoja jashtë shtetit, ajo prishte paratë e mia këtu dhe varte florinj në qafë. Çupa me pinte cigare dhe fëmijët ishin pa shkollë kur erdha nga Gjermania, ndërkohë që gruaja kishte florinj në qafë. U pendova për krimin. Nuk gjeta një familje të rregullt”, tha ai.

Ndërkohë, avokati i 46-vjeçarit tregoi për mediat arsyet pse klienti i tij ka plagosur bashkëshorten, Marjola Myrtollari me thikë.

“Është pranuar autorësia, por jo me qëllimin e vrasjes, por është një reagim për shkak të një debati të zhvilluar për probleme familjare që lidhen kryesisht me mënyrën e jetesës dhe dyshimeve që ai ka ngritur mbi këtë mënyrë jetese gjatë kohës që ai nuk ishte në Shqipëri. Çfarë dyshimesh? Ai ka konstatuar se bashkëshortja e tij disa varëse floriri për të cilat ka ngritur dyshime dhe ka kërkuar shpjegime, si edhe mbi faktin që dy fëmijët janë lënë pa shkollë prej bashkëshortes”, - tha avokati Nevzat Tarelli.

Sipas informacioneve, thuhet se çifti ka pasur probleme prej kohësh. Bashkëshorti ka ushtruar vazhdimisht dhunë ndaj Marjola Myrtollarit.

Në banesë në ato momente kanë qenë edhe fëmijët, por autori më parë i ka nxjerrë ata jashtë dhe më pas ka qëlluar me thikë disa herë bashkëshorten.

Aleko Myrtollari u dorëzua vetë në polici dy ditë pas ngjarjes së rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë