Drejtësia

Video/ Vrasësi i dyfishtë në Gramsh mohon akuzat: Vëllai vdiq nga ilaçi në vesh, gruan e gjeta të vdekur

Gazeta Si - Xhevit Sinani, 80-vjeçari nga Gramshi, i cili dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe të vëllanë me sëpatë, ka mohuar akuzat.

Megjithatë, pavarësisht nga qëndrimi i tij, Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për të moshuarin këtë të hënë.

Përpara trupës gjykuese, i moshuari është shprehur se nuk ka vrarë njeri. Përkundrazi, sipas tij, ata janë “vrarë vetë”.

“Vëllai kishte përdorur një ilaç në vesh, më pas kishte dalë në oborr dhe ishte rrëzuar, ishte vrarë. E mbulova vëllanë dhe ika te gruaja. Edhe gruaja ishte e vrarë,” mësohet të jetë shprehur 80-vjeçari.

I pyetur nëse ai vetë ka vrarë njeri, Sinani ka thënë: “Jo s’kam vrarë njeri”.

Me këto dëshmi kontraditore, ai pritet që t’i nënshtrohet një ekspertize, pasi ka shfaqur probleme të shëndetit mendor.

“Gruan e torturova dhe e mbyta. Vuajti shumë, e godita dhe me sëpatë. Vëllai nuk vuajti”, ka thënë i moshuari në policinë e Elbasanit pak pas krimit të dyfishtë të premten.

Xhevit Sinani dyshohet që t’i ketë marrë jetën bashkëshortes dhe vëllait të tij, pasi i sulmoi me sëpatë. Për pasojë, bashkëshortja Zeqine Sinani, 74 vjeçe dhe i vëllai i autorit të dyshuar, Shaqiri, 73 vjeç humbën jetën.

Sipas policisë, fillimisht i moshuari goditi të shoqen me sëpatë për motive të dobëta dhe më pas të vëllanë që ndodhej rreth 1 kilometër larg nga banesa e tyre në një fshat në Gramsh.

Mësohet se familja nuk kishte probleme, ndërsa fqinjët tregojnë se i moshuari trajtohej prej vitesh për probleme të shëndetit mendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë