Komunitet

“Burg kush…” mbush qelitë, por nuk frenon paligjshmërinë

Mentor Kasa - “Burgu” ka qenë ndër fjalët më të përdorura nga ana e Kryeministrit Edi Rama që prej marrjes së pushtetit prej tij në vitin 2013. Pak muaj pasi mori detyrën, ai njoftoi nismën e Qeverisë së tij për t’i dhënë fund paligjshmërisë në çdo sektor. Aksioni nisi në 2014 me të gjithë personat dhe subjektet që nuk kishin shlyer prej vitesh pagesën e energjisë elektrike.

Sa më e ashpër bëhej oratoria e Kryeministrit ndaj kësaj paligjshmërie, aq më i ashpër bëhej aksioni në terren. “Burg kush nuk paguan dritat”, ishin ndër fjalët më të shqiptuara nga ana e Kryeministrit dhe me radhë nga ministrat, deputetët dhe drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste në 2014.

Operacioni dhe paralajmërimet e dhanë efektin dhe veç tejmbushjes së sporteleve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duket se u tejmbushën edhe qelitë.

Rritja e numrit të të burgosurve sipas qarqeve. Kukësi kryeson me 112 për qind. Gazeta Si, 5 tetor 2019

Në 2015, INSTAT raporton një rritje me 500 vetë më shumë të personave të dënuar, ku pjesa më e madhe e tyre janë në kategorinë “krime të tjera”, ku përfshihen edhe mospagesa e taksave. Qarku më problematik sa i takon mospagesës së tyre ishte Qarku i Kukësit. Pikërisht nga ky qark ka një rritje me 112 për qind të të burgosurve në 2014-2015 në krahasim me vitin 2011.

Sipas këtij shembulli vazhduan më vonë kërcënimet me burg për këdo që nuk kishte kasë fiskale në biznesin e tij, për atë që nuk lëshonte kuponin tatimor, për atë që ndërtonte, apo riparonte shtëpinë e tij pa leje, apo ata që kapeshin të dehur duke drejtuar makinën. “Burg kush…” vazhdoi me ata që organizonin lojëra fati në mënyrë të paligjshme, apo online. “Burg kush…” u përsërit gjatë protestave të opozitës me bllokime rrugësh. Rama propozoi ndryshme në Kodin Penal ku të ndëshkoheshin me burg ata që organizonin dhe bllokonin rrugët dhe ata që godisnin policin apo bluzat e bardha në detyrë.

Më pas vijoi propozimi për burg për këdo që shkelte në fushën e futbollit, marrë shkas nga ngjarja e rëndë e ndodhur në ndeshjen Kamza-Laçi në mars të këtij viti, ku drejtues të klubit vendas dhe tifozë dhunuan gjyqtarin e takimit.

“Burg kush…” u rikthye në muajt e verës. Nisi me burg kush prek zgjedhjet, pas protestave dhe kërcënimeve të opozitës për të mos lejuar zhvillimin e tyre më 30 qershor dhe pasoi në muajin gusht me kërcënimin me burg për këdo që zapton plazhet dhe hapësirat publike.

Propozimi i fundit për burg u shqiptua nga Kryeministri në një nga daljet e fundit televizive. Këtë herë kërkonte ndëshkimin me burg për të gjithë ata kandidatë që gënjejnë në formularin e dekriminalizimit.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e të gjitha kërcënimeve dhe paralajmërimeve, që nga 2013 e deri më tani për ndëshkim me burg për shumëçka nuk shkon në këtë vend. Me përjashtim të rastit të pagesës së energjisë elektrike, a i ka mbajtur qytetarët larg shkeljes së ligjit paralajmërimi “burg kush…”?

Shifrat e INSTAT nga 2011 e deri në 2018 sugjerojnë që jo. Kërcënimi me burg për bizneset që nuk pajiseshin me kasë fiskale prodhoi dyndjen e tyre drejt pagesës me shifra të majme të pajisjes së kërkuar me ligj, por sot, vetë Qeveria tërthorazi pranon dështimin e këtij aksioni përmes propozimit që heq kasat fiskale dhe vendos deklarimin online. Edhe kërcënimi me burg për ata që nuk lëshojnë kupon tatimor, që në 2015 mes të tjerëve prangosi edhe dy berberë, nuk dha rezultatet e pritshme për të luftuar evazionin dhe si zgjidhje u propozua dhe miratua në fund të vitit të kaluar ulja e pragut të TVSH-së.

“Burg kush…” nuk trembi as protestuesit e opozitës që të qëndronin larg qëndrave zgjedhore para dhe gjatë 30 qershorit. Më shumë se ky paralajmërim i kryeministrit Edi Rama, bërë që në muajin maj, ditën e zgjedhjeve mungoi dhuna si pasojë e një vendimi politik të opozitës, së vendosur nën presionin e ndërkombëtarëve.

As kërcënimi me burg për këdo që shkel fushën e futbollit nuk i trembi tifozët e Tiranës dhe të Partizanit që para derbit të fundit të kryeqytetit të dhuronin një shfaqje të turpshme në sytë e kamerave dhe të vetë policisë së pranishme me forca të pakta në atë sektor.

Sa u takon dy të fundit, për zaptuesit e plazheve dhe ata që gënjejnë në formularin e dekriminalizimit rezultatet duhen pritur, por nisur nga pjesa dërrmuese e shembujve të tjerë, kërcënimi me “Burg kush…” nuk ka funksionuar pavarësisht se nga shifrat e publikuara nga INSTAT, numri i të burgosurve është rritur. E vetmja kategori që ka pësuar rënie, të paktën në krahasim me 2015 në sektorin e krimeve është ulja e personave të dënuar për “shpërdorim detyre”, që lidhet drejtpërdrejtë me zyrtarët e administratës shtetërore.

Nuk është as Qeveria dhe as Kryeministri ai që të dënon, por duket fjala e urtë “frika ruan vreshtin” nuk po i funksionon dhe ndaj, tani për çfarë tjetër do të bëjmë burg?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë