Nga Gazeta ‘Si’– Një deklaratë e fortë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka shkaktuar përplasje të ashpra politike në Kosovë, pasi ai uroi që ish-presidenti Hashim Thaçi të dënohet me burgim të përjetshëm, duke e krahasuar me rastin e Naim Murselit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Geci përshëndeti vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Murselit dhe deklaroi se “të njëjtin fat” duhet të ketë edhe Thaçi, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në sallë dhe jashtë saj.
Deklarata u konsiderua skandaloze nga opozita, e cila e cilësoi si gjuhë të papranueshme dhe paragjykuese ndaj një procesi gjyqësor që ende nuk ka përfunduar.
Nga radhët e PDK-së, reagimi ishte i menjëhershëm, duke dënuar ashpër krahasimin dhe duke kërkuar distancim nga Vetëvendosja.
Reagime kritike nuk munguan as brenda vetë kampit qeverisës.
Disa deputetë të lidhur me shumicën u distancuan publikisht nga deklarata e Gecit, duke e cilësuar atë të papërshtatshme dhe dëmtuese për diskursin politik në vend.
Ndërkohë, nga opozita pati edhe akuza se deklarata të tilla përbëjnë “kriminalizim të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ndërsa u kritikua mungesa e reagimit të menjëhershëm nga disa përfaqësues të qeverisë.
Pas gjithë kësaj vale reagimesh, qëndrimi i kryeministrit sot(22 prill) Albin Kurti ishte më i balancuar.
Ai ritheksoi se beson në pafajësinë e katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe se lufta çlirimtare ka qenë e drejtë.
Në të njëjtën kohë, Kurti nuk e mbështeti gjuhën e përdorur nga deputeti i partisë së tij, duke theksuar se në Kuvend Geci ishte ndaluar dhe paralajmëruar për deklaratën e bërë, për shkak të toneve të papërshtatshme.
Kurti tha se nuk është roli i tij të ndërmarrë masa disiplinore individuale ndaj deputetëve, duke lënë të kuptohet një distancim institucional nga deklarata, pa hyrë në përplasje direkte me të.
Gjykata Speciale pritet të shpallë vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK brenda 90 ditëve. Seanca për votimin përfundimtar pritet që të mbahet më 19 maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje