Futboll

Burg dhunuesve e heqje taksash. 100 ditë për të reformuar futbollin

Situata e fundit në futbollin shqiptar, që kulmoi me bojkotin e arbitrave dhe ndërprerjen e kampionatit, mblodhi bashkë në një takim zyrtar Kryeministrin Edi Rama, kreun e FSHF-së Armand Duka, Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtues klubesh, kryetarë bashkish, përfaqësues të tjerë të FSHF-së dhe politikanë të tjerë. Një takim me temë diskutimi “Siguri-Reformim-Modernizim. Ishte një mbledhje e domosdoshme për situatën, ku secila palë ka bërë propozimet e veta për zgjidhjen e kësaj problematike. Në qendër të diskutimit ishin ndryshimi i ligjit për sportin, ashpërsimi i masave për tifozët e dhunshëm,e krijimi i lehtësirave fiskale për investimet në futboll, infrastruktura dhe krijimi i një Gjykate të Arbitrazhit Sportiv në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama e vuri theksin te hapja e një faqe të re në futboll me anë të disa propozimeve të rëndësishme, duke nisur me ndryshimin e kodit penal për tifozët e dhunshëm në stadiume dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme, ndërkohë që premtoi disa lehtësira për ata që financojnë në futboll, siç janë heqja e tatimit mbi fitimin dhe heqja e taksave për një periudhë të caktuar kohore. “Jemi mbledhur për të reaguar ndaj një fenomeni të rëndë si ai i dhunës në futboll. Besoj se sot kemi një mundësi për ta parë më gjerë futbollin, si aktivitet dhe si një forcë e madhe që përfshin shoqërinë dhe edukon rininë. Duhet të nisë një proces reformimi i thellë në futboll për ta çuar atë përpara. Kemi të gjitha mundësitë për të hyrë në një fazë solide dhe për këtë arsye besoj se pjesëmarrja në stadiume e çdo sportdashësi do të duhet konsiderohet me një status të veçantë.

Nga takimi i stoëm për situatën e futbollit shqiptar

Është koha që Policia e Shtetit dhe FSHF-ja të bashkëpunojmë me njëra-tjetrën. E di që aktualisht ka një pengesë ligjore, pasi ligji nuk lejon rikthimin e policisë në stadium, që do të thotë se do duhet të amendohet ligji, ose duhet të ketë një VKM të veçantë. Por nuk duhet të mbetemi vetëm te policia. Do të ndërhyjmë në kodin penal dhe mendoj se kapërcimi i vijave të bardha do të dënohet me tre vjet burg. Nga njohuritë e mia, di që këto lloj dënimesh janë dhënë në Angli dhe jo vetëm që u zhduk dhuna, por edhe telat dhe kangjellat”, – theksoi Kryeministri Rama.

Më tej ai u “tërhoqi veshin” edhe presidentëve të klubeve: “Nuk kemi se si të kërkojmë futboll të shëndetshëm, kur i deklarojmë rrogat e lojtarëve si punëtorë fasonë, për të mos paguar asnjë takse. Kemi lojtarë që paguhen nga 100 mijë euro dhe deklarohen me 300 mijë lekë, ky është një teatër, që nuk mund të vazhdojë. Le ta zerojmë për një kohë tatim-fitimin me kushtin që të deklarohen të pagesat për futbollistët. Heqja e tatim-fitimit mbase është një masë për ta formalizuar këtë lloj tregu. Futbolli nuk bëhet pa lekë, këtë duhet ta dinë mirë të gjithë. Nuk kemi dashur të ndërhyjmë, pasi nuk kemi dashur të mbyllim futbollin. Do të heqim edhe taksën për investimet në infrastrukturën sportive për një periudhë kohe, që të kemi stadiume me standardet e duhura. Të heqim doganën për mallrat me destinacion sportiv. Të krijohen komisionet në bazë të këtyre propozimeve dhe mendoj se për 100 ditë do të jemi sërish këtu me materialin e gatshëm për të bërë ndryshimet”, – theksoi ndër të tjera Kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, theksoi që në fillim se, nëse ka vullnet politik, gjithçka mund të zgjidhet. Ai kërkoi bashkëpunim nga qeveria për të mbrojtur futbollin: “Futbolli lartëson emrin e një vendi dhe nëse menaxhohet mirë sjell të ardhura të konsiderueshme. Nëpërmjet ndryshimeve ligjore mund të zgjidhim disa probleme, siç janë formalizimi, taksat fiskale, lehtësira në ligjin e sponsorizimit. Modernizimi kalon nëpërmjet investimeve dhe duke pasur stadiume moderne, do të rrisë tregun. Problemet në futboll nuk janë vetëm të sportit, por të shoqërisë. Shpresoj që ky takim të jetë takim shtyse dhe uroj më të mirën. Duhet bashkëpunim edhe nga Prokuroria, që personat që ushtrojnë dhunë në stadium, të marrin dënimin e duhur. Nëse ka vullnet politik, mund të zgjidhet gjithçka”.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i komisionit të ligjeve në parlament, Ulsi Manja, i cili tha se ndryshimi i ligjit për sportin do të shihet me përparësi, në mënyrë që të bëhet sa më shpejt, siç kanë kërkuar përfaqësuesit e klubeve të futbollit. Në takim është pranuar se largimi i policisë nga stadiumet ndoshta ka qenë i parakohshëm, edhe pse është një lëvizje e nevojshme. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kërkoi masa sa më të ashpra për tifozët problematikë, duke u shprehur se duhet një dënim më shumë se 3 vite burg për ata që futen në fushë. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i kërkoi Kryeministrit Edi Rama një datë të caktuar për ndryshimin e ligjit, që situata të mos mbetet evazive, por propozimet të konkretizohen sa më shpejt. Kreu i qeverisë përsëriti se gjithçka do të ketë marrë rrugë brenda 100 ditësh.

Nga takimi i sotëm

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, evidentoi dy probleme që ka aktualisht Policia e Shtetit, që kanë të bëjnë me kompetencat që i jep ligji dhe me numrin e ulët të policëve. Me ndryshimet që pritet të behen, polica do të lejohet të jetë e pranishme brenda stadiumet për të ndihmuar në eliminimin e dhunës. Të gjitha palët ishin dakord për bashkëpunim dhe për krijimin e grupeve të punës, që sa më shpejt të bëhen ndryshimet që do ta ndihmonin futbollin të ecë përpara dhe të kthehet në një aktivitet fitimprurës. Kryetari i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, u shpreh se është plotësisht e mundshme që në vendin tonë të ketë një Gjykatë Arbitrazhi Sportiv: “Do të doja të ishte edhe Prokurorja e Përgjithshme, që thirrjet tona të mos bien në vesh të shurdhët. Në asnjë rast nuk ka hetime nga Prokuroria dhe nga Gjykata. Arbitrazhi shqiptar? Po është diçka, që mund të bëhet dhe do t’u jepte zgjidhje shumë çështjeve”, – tha Braka.
Tani pritet mesi i muajit qershor për të kuptuat nëse vërtet do të ndryshojë diçka në futbollin tonë, apo do të vazhdojmë me këtë situatë.

 

Më Shumë