Kombetarja

Bulku rikthehet si trajner në Andorrë: Ky ekip mund të shkojë në Europian

Para 17 vitesh, ai ishte dëshmitar i një prej humbjeve më të rënda të kombëtares shqiptare. Por tani në Andorrë, Ervin Bulku rikthehet si trajner i kombëtares së Shqipërisë me detyrën e vështirë për të nxjerrë ekipin nga një humbje me Turqinë në “Loro Boriçi”. Duke folur në konferencën e zakonshme në prag të kësaj ndeshje, Bulku është shprehur optimist se ekipi kuqezi mund të dalë me tre pikë. Ai theksoi se do të jap maksimumin për të bërë sa më mirë në këtë ndeshje, duke shfrytëzuar mundsinë që iu dha nga drejtuesit e FSHF-së.
“Përgjegjësi e madhe është kjo që më kanë ngarkuar. Detyra ime është të bëj maksimumin e fitoj këtë ndeshje, bashkë me çunat se atë e fitojnë lojtarët në fushë, pavarësisht asaj që bëjmë ne pas. Ndryshimi me 17 vite me pare është që këtë ndeshje duhet ta fitojmë patjetër, mendoj që nuk përsëritet me dhe jam i bindur për këtë.”- u shpreh Ervin Bulku.
Për Ervin Bulkun atmosfera në kombëtare nuk është ndikuar aspak nga largimi i trajnerit Panuçi. Ai shtoi se ka besim se ky grup i ka potencialet për t’i arritur finalet e kampionatin europian, ashtu siç bëri tre vite më parë në “Francë 2016”.
“Jemi munduar ta harrojmë sa më shpejt humbjen ndaj Turqisë, mendoj se gjendja është e mirë dhe jemi të përgatitur e të përqendruar për të fituar këtë ndeshje. Është e vërtetë që këta janë lojtarët, 30-35 prej tyre janë më afër ekipit kombëtar, këto janë 70% që bënë të lumtur shqiptarët duke shkuar në Francë. Do dinë të kalojnë këtë ndeshje, këto momente të vështira dhe besoj se do ta kalojnë e fitojnë ndeshjen nesër.”
Në fund tekniku provizor i kombëtares shpresoi që të ketë me vetë edhe fatin në ndeshjen e tij të parë si trajner dhe se ai do të bëjë maksimumin e tij për fitoren.
“Jam trajner i ekipit tani që flasim dhe e thash që më kanë ngarkuar një detyrë, do të mundohem të bëj maksimumin në këtë detyrë të rëndësishme, sidomos për mua. E ëndërrojnë emra të mëdhenj këtë punë. Mua, fati dhe Zoti ma dha që të jem trajner i kësaj kombëtareje. Urojmë që të fitojmë dhe unë të kem një rezultat si trajner pozitiv.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë