Ekonomi

BSH parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike por jo aq sa për të penguar punësimin në 2022

Banka e Shqipërisë parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike për vitin 2022 nga viti që sapo lamë pas dhe një inflacion mbi 3 për qind gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Në përgjigjen e dhënë për Gazetasi.al, Banka e Shqipërisë parashikon se ndonëse ekonomia do të ketë ritëm të ngadalësuar të rritjes ekonomike, do të jetë e mjaftueshme për të gjeneruar rritje të punësimit dhe pagave, në linjë me inflacionin objektiv.

“Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike pritet nxitet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve të sektorit privat, si dhe rritja e eksporteve të mallrave e të shërbimeve. Në terma të strukturës, rritja ekonomike pritet të jetë e pranishme në të gjithë sektorët e ekonomisë.”

Sipas përfaqësuesve të BSH-së, stabiliteti ekonomik do të vijë nga përmirësimi i situatës epidemiologjike dhe se pritet normalizimi i plotë i situatës brenda dhe jashtë vendit.

Banka Qendrore parashikon rritje të besimit të biznesit dhe individëve që do të sjellë kërkesë të shtuar për mallra, shërbime, eksporte dhe rritje të nevojës për investime. 

“Nga ana tjetër, rritja e shitjeve dhe e të ardhurave do të shoqërohet me rritjen e punësimit dhe të pagave dhe me përmirësimin e bilanceve financiare të sektorit privat.”

Kredia bankare parashikohet të ketë një rritje të qëndrueshme  mbështetur nga kostot e ulëta të financimit dhe ambienti financiar i stabilizuar, duke mbetur përsëri një burim të rëndësishëm fondesh për financimin e nevojave të familjeve dhe bizneseve për konsum dhe investim.

Vetë sektori bankari me tregues kapitali dhe likuiditeti të qëndrueshëm, sipas përfaqësuese të Bankës, garanton kontributin e tij të qëndrueshëm në zhvillimin e vendit.

“Sa i takon inflacionit, projeksionet tona sugjerojnë se çmimet e konsumit do të vijojnë të jenë subjekt i goditjeve të ofertës, të cilat pritet ta mbajnë inflacionin në nivele mbi objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit. Më tej, me shuarjen e tyre, inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë gjysmës së dytë të vitit”, përgjigjet BSH për Gazetasi.al.

Raporti i fundit i Qendrës për Kërkime të Ekonomisë dhe Biznesit ka parashikuar gjithashtu një rritje ekonomike më të ngadaltë për Shqipërinë në vitin 2022 dhe duke e zgjeruar parashikimin deri në 15 vitet e ardhshme.

Sipas statistikave, në vitin 2021, PBB-ja e vendit tonë u rrit me 5.3% nga 2020-a dhe me 1.8% nga 2019-a, kur sektorët ekonomikë patën performancën më të mirë. Nga raportet kombëtare dhe ndërkombëtare, përmirësimi i shpejtë gjatë vitit të shkuar ndodhi për shkak të mungesës së kufizimeve, fushatës së vaksinimit dhe “hapja e rrugës” drejt normalitetit, që rriti konsumin dhe kërkesën për produkte e shërbime.

Tregu i punës është ende një problem me rëndësi në Shqipëri, një problem i lënë pas që nga muajt e parë të pandemisë në vitin 2020, kur ndaluan aktivitetet ekonomike. Një pjesë e madhe e grupmoshave të punës janë të dekurajuar për të punuar, mbi 15% vetëm në tremujorin e tretë 2021. Një pjesë e madhe e forcës së punës në Shqipëri është larguar drejt shteteve të huaja, ndonëse nuk ka një shifër publike zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë