Ekonomi

BSH mban të pandryshuar normën e interesit. Sejko: Ritmi i rritjes ekonomike do të ngadalësohet lehtë

Nga Gazeta ‘Si’- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar në nivelin e 3.25%.

Në një konferencë për gazetarët, Sejko theksoi se qëndrimi i politikës monetare është konsistent, ndërsa shtoi se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve.

Sejko tha se ekonomia shqiptare do të vijë në rritje, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. 

Megjithatë, ai shtoi se ritmi i rritjes së ekonomisë pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë në vitin 2024, si pasojë e ambientit ende sfidues të huaj, dhe t’i rikthehet potencialit të tij në vitet në vijim.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar prej 3.9% në tremujorin e katërt, me një rënie të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës. Rënia e inflacionit u diktua nga ritmi më i ngadaltë i rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë, ndërkohë që çmimet e karburantit e të qirave erdhën në rritje dhe inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte relativisht i qëndrueshëm.

Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyroi rënien e presioneve të brendshme inflacioniste. 

Megjithatë, edhe pse në rënie, këto presione mbeten relativisht të larta dhe nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Kjo ecuri diktohet nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, e cila mban të larta marzhet e fitimit, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave, e cila përcillet më tej në kosto të rritura prodhimi”, tha Sejko ndërsa shtoi se inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë