Keshilla

Bruksizmi, më shumë se sa një problem dentar

Bruksizmi mund të tingëllojë si fjalë e huaj, por koncepti nuk është i tillë. Bruksizmi është tendenca për të shtrënguar dhe kërcitur dhëmbët pa vetëdije. Ky fenomen, natyrisht, është më i shpeshtë gjatë gjumit, kur është e pamundur të ushtrosh kontroll të vetëdijshëm mbi lëvizjet. Bruksizmi është çrregullimi i tretë më i zakonshëm i gjumit pas bisedave në gjumë dhe gërhitjes.

Shkaku i saktë i bruksizmit nuk dihet, përkundrazi janë një numër faktorësh që mund të nxisin këtë sjellje. Disa janë mekanike, për shembull shtrirja e papërsosur e dy harqeve dentare ose prania e parakontakteve, domethënë kur një dhëmb i vetëm prek dhëmbin e anës tjetër para të tjerëve. Lloji tjetër i faktorëve është psikologjik, pasi është provuar se bruksizmi shpesh ndodh tek njerëzit që përjetojnë stres të zgjatur.

“Oral Health Foundation” ka kryer një studim me disa adoleshentë në Brazil ku 65% e tyre kishin episode të bruksizmit dhe ishin viktima të bullizmit ndërsa pjesa tjetër nuk përjetonin asnjërën.

Bruskizmi është i përhapur tek shumë fëmijë dhe sipas ekspertëve ky fenomen lidhet me një situatë që shkakton stres dhe ankth, e për pasojë gjumi i fëmijës nuk është i qetë, madje e nesërmja mund të shoqërohet me dhimbje koke.

“Shpesh nuk i kushtojmë rëndësinë e duhur por është një fenomen shumë i përhapur dhe personat që vuajnë prej tij e kanë të vështirë t’i shprehin emocionet”, tregon Lorela Garuli për Gazetasi.al.

Garuli thotë se kërcitja e dhëmbëve gjatë natës është një mënyrë për të shkarkuar tensionet e ditës dhe në rastet më të përshkallëzuara, mund të tregojë se fëmija është viktimë e bullizmit.

Psikologe Lorela Garuli

Marjana është mamaja e Ajan, 8 vjeç e cila thotë se ai ka disa muaj që ka filluar të kërcasë dhëmbët kur shikon televizor apo kur është i përqendruar duke luajtur.

“E çova tek dentisti sepse mendova se ka diçka që nuk shkon me dhëmbët e tij por ai më tha se nuk është problem dentar”.

Marjana tregon se episodet e kërcitjes së dhëmbëve filluan të shtoheshin çdo herë e më shumë në momente të caktuara derisa “u bë një zhurmë e padurueshme, ishte sikur dikush po priste me sharrë”.

Pasi pyeti, ajo ju drejtua një psikologeje edhe pse kurrë nuk e kishte menduar se është diçka që lidhet me këtë fushë.

Pas dy seancash, ajo kuptoi se djali vuante nga ankthi dhe më vonë u “zbulua” edhe se ato episode ndodhnin kur ai kthehej nga shkolla apo kur në familje kishte debate.

“Bruksizmi është një mënyrë për të kuptuar se ka diçka që nuk shkon. Duhet parë frekuenca, nëse ndodh vetëm një herë apo nëse ndodh më shumë herë, nëse është shumë e shpeshtë dhe nëse ka shenja të tjera ankthi atëherë mund të kuptohet që fëmija po vuan nga ankthi”, shton Garuli.

Ajan kishte bruksizëm sepse prindërit e tij po ndaheshin dhe shokët e kishin marrë vesh këtë gjë dhe “talleshin” me të se nuk do të kishte një familje normale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë