Futboll

Broja rinovon me Çelsin deri në 2028-ën: Ëndrra e jetës!

Gazeta Si – Çelsi ‘bondon’ Armando Brojën. Sulmuesi kuqezi ka rinovuar kontratën me klubin e madh anglez deri në vitin 2028. Një veprim ky që tregon se drejtuesit e Çelsit kanë besim të madh te sulmuesi 20-vjeçar.

"Jam shumë i emocionuar. Është klubi që kam ëndërruar të luaj gjatë gjithë jetës sime, klubi që mbështes dhe që dua. Kam qenë këtu që kur isha fëmijë, kështu që është një ndjenjë e veçantë për mua dhe familjen time.

Të vesh fanellën blu me ekipin e parë është një ëndërr e bërë realitet. Është e mahnitshme çdo minutë që luan në fushë, sepse është një nga klubet më të mëdha në botë. Gjithmonë ka konkurrencë dhe të gjithë duan të luajnë. Jam i lumtur që kam mundësinë të jem pjesë e Çelsit. Shpresoj të luaj shumë ndeshje dhe të jem pjesë e suksesit”, - u shpreh Broja pas firmës.

Broja dhe pronari i Çelsit, Boehly. Gazeta Si, 2 shtator 2022

Sulmuesi kuqezi është aktivizuar tri herë si zëvendësues këtë sezon nga trajneri Tuhel. Ai vjen pas sezonit shumë të mirë me Southamptonin, ku luajti si i huazuar. Broja shënoi 9 gola në 38 ndeshje sezonin që shkoi.

Pas rinovimit me sulmuesin e talentuar, pronari i ri i Çelsit, Todd Boehly, u shpreh: “Jemi të kënaqur që Armando është i përkushtuar te Çelsi. Ai është një sulmues i ri dhe emocionues, është pjesë e rëndësishme e planeve tona për të ecur përpara”.

Më parë Broja është huazuar edhe te me Viteshe, ku 11 golat e tij e ndihmuan skuadrën holandeze për vendin e katërt në Eredivisie dhe finalen e Kupës.

Sulmuesi shqiptar ka debtuar me Çelsin në mars të 2020-ës. Ai luajti në Premier Ligë ndaj Evertonit si zëvendësues. Me Kombëtaren e Shqipërisë Broja e ka gjetur rrugën e rrjetës 4 herë deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë