Kombetarja

Broja në Europian në ‘kurriz’ të shokëve… apo Sylvinho ia tregoi zgjedhjen e tij me vendimin para Çekisë?

Nga Gazeta Si - Rikthimi i Armando Brojës në fushën e blertë me Chelsea-in ishte e shumëpritur dhe rezultoi efikas, pasi në rreth 90 minuta në tri ndeshje, ai arriti edhe të shënojë.

Po me kaq padurim dhe interes ishte edhe rikthimi i tij në Tiranë, te grupi kuqezi, i cili tashmë që po shkon drejt fundit të eliminatoreve, ndodhet në vendin e parë me një humbje 4 fitore dhe një barazim, pa Armando Brojën, një ndër sulmuesit, në letër me një të ardhme të madhe dhe cilësitë e një superlojtari, nëse do të vazhdojë me të njëjtat ritme si e ka filluar.

Por zgjati vetëm një ditë stërvitja e tij nën drejtimin e Sylvinhos, Zabaletës dhe Dorivës, pasi gjuri i tij që e la 9 muaj larg fushave, dha sinjale jo të mira.

Rezonanca e kryer në Tiranë nuk tregonte për fat asgjë, që të justifikonte dhimbjen, megjithatë vetë sulmuesi kuqezi i është ankuar stafit mjekësor të Kombëtares për një dhimbje në gju.

Komunikimi me mjekët e Chelsea-in nuk qe frytdhënës. Në fund, ishte një takim “tet a tet” mes tij dhe Sylvinhos: “A je gati të luash, apo jo?”

Një pyetje që Armando Broja, i pamësuar me trajnerin e ri, dinamizmin dhe vendosmërinë, fjalët e pakta dhe qartësinë, me sa duket ende nuk ia ka mësuar. Një përgjigje e lëkundur, mes dhimbjes, dëshirës për të luajtur dhe frikës së një rikthimi të dëmtimit, solli rikthimin e tij në Londër, sërish jashtë, sërish larg ekipit që shkëlqeu në stadiumin “Air Albania”.

Të gjithë e mirëkuptuan frikën e një rikthimi të dëmtimit, problemet që mund të krijoheshin me skuadrën e Chelsea, që ndodhet në një moment të vështirë, e paguajnë shumë para dhe besojnë tek ai, por askush nuk e mirëkuptoi mungesën e Armando Brojës në stadium për të parë shokët e tij të skuadrës, në një tjetër mbrëmje të madhe, me një biletë VIP në dorë, që shumëkush e pagoi shumëfish, vetëm të ishte i pranishëm. Askush nuk e kuptoi përse Ardjan Ismajli, që erdhi i dëmtuar nuk u stërvit fare, ishte në stadium dhe Broja në rikthimin pas një viti në grumbullimin e Kombëtares, në prezantimin e parë me Sylvinhon zgjodhi të largohej, mos ishte as te festa e dhomave të zhveshjes, as askund, atë mbrëmje kur Shqipëria arriti me një këmbë në Berlin.

Na duhet edhe shumë pak për të qenë zyrtarisht skuadra e Gjermani 2024-s, një skuadër që arriti të befasojë, gëzojë dhe entuziazmojë miliona shqiptarë kudo në botë dhe që e bëri pa Armando Brojën.

Asani, Seferi, Cikalleshi, Muçi dhe së fundi, Daku e Muja, kanë dhënë shumë dhe kanë fituar zemrën e trajnerit bashkë me atë të tifozëve. A ia vlen të sakrifikohet njëri prej tyre për t’i hapur vendin Armando Brojës për në finalet e Europianit 2024? A e ka Shqipëria luksin të lërë një sulmues të Premier League jashtë finaleve të Europianit? Një dilemë që, me sa duket, sot e kanë tifozët dhe sportdashësit, pasi Sylvinho ishte i qartë në zgjedhjen e tij… për të i vetmi problem është “finalja” e radhës, Moldavia, jo Armando Broja…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë