Futboll

Broja dhe Strakosha me fate të kryqëzuara, shkëmbejnë kampionat në verë

Gazeta Si - Armando Broja në Itali dhe Tomas Strakosha në Angli. Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare mund të shkëmbejnë kampionatet në merkaton e verës, ku duket se ndërrimi i skuadrës aktuale është i pashmangshëm për të dy.

Për sulmuesin 20-vjeçar ka një interesim serioz të Napolit kohët e fundit, përveç disa sinjaleve të mëparshme në lidhje me Milanin. Broja kaloi me sukses një provë të vështirë këtë sezon, duke u bërë protagonist me Sauthemptonin në Premier Ligë. Paraqitja e tij ka vënë në lëvizje shumë klube, sidomos në Angli, por është Çelsi që vendos, pasi ka kartonin e futbollistit kuqezi.

Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares. Gazeta Si, 12 prill 2022

Napoli e pëlqen shumë Brojën dhe e sheh si zëvendësues të mundshëm të Osimhen. Por kaq nuk mjafton, sepse klubi italian duhet të bëjë një sforco financiare për të përballuar një operacion më kosto të lartë. Specialistët e merkatos në Itali gjykojnë se Napoli e ka shumë të vështirë ta blejë Brojën, por gjithçka mbetet e hapur.

Strakosha ndërkohë është gati të lërë Italinë pas shumë vitesh dhe të zbarkojë në ishull. Sirenat angleze për të kanë kohë që bien dhe në verë ka shumë mundësi që kjo lëvizje të konkrektizohet. Ditët e fundit në fakt ka pasur diskutime mes drejtorit sportiv Igli Tare dhe trajnerit Sarri për pozicionin e Strakoshës te Lacio.

Tomas Strakosha. Gazeta Si, 12 prill 2022

Trajneri Sarri duket i vendosur për të hequr dorë nga shqiptari dhe për të marrë një portier të ri, ndaj dhe Strakosha pritet të ndërrojë skuadër së shpejti. Përveç Anglisë, për të ka pasur një interesim edhe nga Gjermania.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë