Njerez

Britania pezullon deportimin me azilkërkues në Ruanda, mes tyre edhe një shqiptar: Ndihem keq!

Gazeta Si - Një azilkërkues shqiptar në Britani, ka rrëfyer për “The Guardian” momentet  e tmerrit që përjetoi teksa autoritetet lokale do ta dëbonin në Ruanada, në Afrikën Lindore.

26-vjeçari shqiptar ka thënë se ishte në gjendje shumë të rënduar mendore, teksa po priste të hipte në fluturimin e depërtimit për në Ruanda, një vend për të cilin ai tha se nuk di “asgjë”.

Shqiptari është një nga shtatë azilkërkuesit që kanë nisur sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore.

Megjithatë, plani i qeverisë së Britanisë së Madhe për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda është anuluar në minutën e fundit pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e ka dënuar këtë nismë.

Shtatë persona që kishin mbërritur në Britani për të kërkuar strehim pritej të largoheshin në vendin e Afrikës Lindore një orë e gjysmë përpara se fluturimi të nisej.

Mes tyre ndodhej dhe një azilkërkues shqiptar dhe viktimë e dyshuar e trafikimit. Ai ka thënë për “The Guardian” se ishte në një gjendje shumë të keqe mendore.

“Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Më trafikuan në Francë. Nuk e dija se në cilin vend po më çonin”, ka thënë shqiptari për gazetën britanike "The Guardian".

Ai tha se kur e hipën në një varkë të vogël në Francën veriore, kuptoi se trafikantë të tjerë do ta prisnin kur të mbërrinte në MB.

Burri tha se kishte menduar të vriste veten në vend që të hipte në avion. Media britanike shkruan se 26-vjeçari shqiptar ishte një prej shtatë azilkërkuesve që nisën sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore.

Pjesa tjetër përfshijnë tre iranianë, një azilkërkues irakian dhe një vietnamez, të cilët mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në mes të majit.

Plani britanik parashikon deportimin e disa prej azilkërkuesve në vendin afrikan në pritje të përgjigjes për kërkesat e tyre përkatëse për mbrojtje.

Ministrja e Brendshme e Anglisë, Priti Patel, tha se qeveria "nuk do të pengohet" nga "zbatimi i planeve tona për të kontrolluar kufijtë e vendit tonë".

Patel paralajmëroi gjithashtu se shumë nga njerëzit e larguar nga fluturimi i planifikuar dhe më pas i anuluar "do të vendosen në fluturimin tjetër: ekipi ynë ligjor po shqyrton çdo vendim të marrë për këtë fluturim dhe përgatitja për fluturimin tjetër fillon tani".

Ndërkohë, qeveria e Ruandës tha se ishte ende e angazhuar për të mirëpritur azilkërkuesit që duhet të dërgoheshin nga Britania e Madhe, pavarësisht anulimit të fluturimit që supozohej të transferonte shtatë emigrantë.

"Ne nuk jemi të dekurajuar nga zhvillimet e fundit, - tha zëdhënësja e Kigali, Yolande Makolo. - Ruanda mbetet e vendosur për ta bërë bashkëpunimin të funksionojë. Ne jemi gati të presim emigrantët kur të mbërrijnë dhe t'u ofrojmë atyre siguri dhe mundësi në vendin tonë".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë