Futboll

Brazili rikthen pas 69 vitesh fanellën e “tersit”, Vinicius imazh

Brazili ka zbuluar fanellat që do të përdorë në Kupën e Amerikës 2019, ku Seleçao vjen me risi. Rikthim te tradita, me një ngjyrë që në fakt ka ngulitur kujtime të hidhura në memorien e brazilianëve, të bardhën. Prezantimi i fanellës së bardhë është bërë nga një lojtar, i cili nuk ka luajtur kurrë me kombëtaren e madhe.

Federata Braziliane e Futbollit ka vendosur që të lërë mënjanë bestytnitë dhe të rikthejë pas shumë vitesh fanellën e bardhë. Për Kupën e Amerikës, që zhvillohet pikërisht në Brazil në qershor, kombëtarja e futbollit do të veshë atë fanellë, që popullit brazilian i sjell kujtime të hidhura. Bëhet fjalë për uniformën e dytë të Brazilit, pas klasikes me ngjyrën e verdhë dhe jeshile. Fanella e bardhë është përdorur për herë të fundit 69 vite më parë, në finalen që të gjithë e kujtojnë si “Maracanazo”, në finalen e Botërorit 1950, të humbur ndaj Uruguait në Rio de Zhaneiro.

Vinicius gjatë prezantimit të fanellave të Brazilit

Federata e Brazilit ka vendosur t’i kthehet traditës për të festuar 100-vjetorin e triumfit të parë në Kupën e Amerikës. Në vitin 1919, Seleçao, e veshur më të bardha, fitoi për herë të parë këtë kompeticion, që organizohej në Brazil, duke mundur Uruguain 1-0, me një gol të Arthur Fridenreish.

Një tjetër e veçantë në vendimin e Federatës së Brazilit ka të bëjë me lojtarin imazh të përzgjedhur për prezantimin e fanellës. Ai është sulmuesi i Real Madrid, Vinicius xhunior, i cili konsiderohet një yll në lindje i futbollit brazilian, por nuk ka luajtur kurrë më parë për Seleçaon e të rriturve, duke shkuar deri te U-20-a. Gjatë prezantimit të fanellës së re, lojtari i rritur te Flamengo, ka deklaruar: “Është një nder dhe kënaqësi të jem këtu dhe të vesh një fanellë historike, që nuk është përdorur për shumë kohë. Një debutues te Brazili për të prishur syrin e keq…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë