Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi sqarime nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me cilësinë e materialeve të ndërtimit dhe sigurinë në ndërtime, duke u ndalur veçanërisht te incidenti i zjarrit në kompleksin “Arlis” përballë QSUT-së.
Braçe ngriti shqetësimin se në këtë kompleks nuk është përmbushur asnjë nga angazhimet ndaj banorëve për rikthimin e normalitetit. Sipas tij, ndërtuesit shpesh fokusohen te pamja e jashtme e godinave dhe jo te siguria reale strukturore, sidomos në kushtet pas tërmetit të vitit 2019.
“Isha dy ditë më parë në atë kompleks, në nisje të një peticioni ndaj kryetarëve të shtetit. Në objekt as pastrimi nuk është bërë dhe kjo është krejt tjetër. Ndërtuesit po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të bukur nga jashtë e brenda, po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të sigurt pas tërmetit 2019. Në mendjen e ndërtuesve, siguria nuk shihet e për pasojë nuk shitet. Sa kohë do të na duhet për të ndërtuar një objekt të sigurt nga zjarri? Shkurt e qartë, për të bërë gjumë të sigurt të godinave që blihen shtrenjtë?”, tha Braçe.
Më tej, deputeti tha se kompanisë “Arlis” i mungonin certifikimet e sigurisë duke ngritur pikëpyetje për të gjitha proceset e tjera në zinxhir, që kanë çuar në dramën e 14 prillit, ku një pallat i tërë i shkrumbua.
“Ajo që më shqetëson është që në këtë qytet po ndërtohet pafund ndërkohë që koha e atyre standardeve po zgjatet dhe kalon ritmin e kontrollit të zbatimit të legjislacionit në territor. Ndërtimi i kompanisë ‘Arlis’ është pa certifikatë përdorimi, detyrim ligjor ky. Pse nuk është lëshuar një certifikatë e tillë? Me gjasë, projekti nuk është zbatuar sipas lejes së ndërtimit. I jam drejtuar 5 javë të shkuara kadastrës për informacion lidhur me këtë kompleks dhe nuk e kam marrë. Mungesa e certifikatës së përdorimit tregon procesin e legalizimit. Është përdorur alumin me bërthamë të brendshme me bazë polietileni, tërësisht i djegshëm. Këto montohen në një pjesë të veshur me lesh guri, me një hapësirë ajri midis tyre që ka bërë rolin e oxhakut duke përhapur zjarrin. Montimi është bërë pa asnjë brez çeliku kat më kat. Është po evidente, kemi të bëjmë me dy godina të ndara në vendin ku ra zjarri, pa asnjë hapësirë. Është zgjedhur një klasë e mesme materialesh që digjen dhe përhapin zjarrin”, tregoi Braçe.
Ministri Karakaçi u përgjigj se kuadri ligjor aktual mbulon gjerësisht këtë sektor, por pranoi se ka nevojë për përmirësime. Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe për forcimin e mekanizmave të kontrollit. Në rastet kur ka shkelje nga ndërtuesit apo kolaudatorët duhet të merren masa ndëshkuese.
“Së pari, ajo çfarë unë iu referova gjatë fjalës sime lidhet me gjithë kuadrin ligjor rregullator për materialin e ndërtimit, normat e zbatimit ku ministria që përfaqësoj është hartuese dhe rregullatore. Gjatë zbatimit të procedurave ligjore, ka shumë institucione që kanë detyrim të zbatojnë ligjin. Do të isha i gatshëm të vazhdoja diskutimin me ju që nëse kemi hapësirë për të bërë rregullime të tjera që na shmangin situata të tilla, do të isha i gatshëm të ulesha dhe të hartojmë masat. Pas zjarrit, nën drejtimin tim dhe gjithë strukturat nën varësinë e ministrisë, kanë shkuar derë më derë për të parë nëse ishte e mundur që të bëhej rilidhja e energjisë dhe ujit. Unë s’kam kompleks që të pranoj se nëse ndërtuesi apo kolaudatori kanë shkelur ligjin, duhet të dënohen dhe të merren masat përkatëse. Është evidente që shumë shpesh ka ndodhur që ndërtimi është shtrirë përtej lejes dhe për këtë qëllim është miratuar akti normativ që referon që për ndërtesat e reja nuk bëhet lidhja e energjisë dhe shërbimit të ujit nëse njësia s’ka marrë aktin e kolaudimit”, tha Karakaçi.
Në përmbyllje të debatit, Braçe propozoi masa më të forta ligjore, duke kërkuar që asnjë objekt shumëkatësh të mos legalizohet apo certifikohet pa certifikatë të mbrojtjes nga zjarri, pa akt kolaudimi dhe pa certifikatë përdorimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje