Politike

Braçe: Meta synon fundin e reformës dhe të PS

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka zgjedhur një kohë simbolike për të (fund majin e viti ’96 kur u fut në politikë) për të shkruar shumëçka për reformën në drejtësi, politikën e pistë siç e quan ai dhe Partinë Socialiste. Në një postim të gjatë në Facebook, Braçe shpjegon se reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh i Partisë Socialiste në 30 vite.

Braçe shkruan se, partnerë të PS-së në këtë reformë kanë qënë SHBA e BE si dhe shqiptarët. Sepse me këtë kauzë, sipas tij, PS-ja fitoi edhe zgjedhjet e 2017-ës.  

Duke folur për ecurinë e reformës, Braçe i fillon përgjegjësitë që më ngjarjen e Gërdecit.

“Eshte tallëse, fyese, neveritëse, ta shpif, është pa rast të ngjashëm në Evropë që kryeministri e ministrat përgjegjës në vrasjet e Gërdecit e Bulevardit, qëndruan në detyrë, nuk u dorëhoqën e akoma nuk kanë marrë përgjegjësi, nuk kanë kërkuar as falje, nuk u pyetën, hetuan e gjykuan, por dominojnë politikën, përdorin statusin e tyre politik për të bindur prokurorë e gjykatës ende në sistem që t’i mbrojnë dhe, mbrojnë nga reforma në drejtësi çdo prokuror e gjykatës të varur prej tyre, të korruptuar e që ju shërben”, - shkruan ai.

Jo më kot e prek këtë temë, duke dashur të kalojë tek problemi aktual.

“Sulmojnë reformën cep e me cep, qoftë duke qeshur për të fshehur frikën e me fjalë pa kuptim siç bën njëri, qoftë duke puthur Kushtetutën siç gjahtari çiften dygrykëshe siç bën tjetri, qoftë barbarisht, haptazi e dhunshëm siç kumbari që i bën bashkë në zgjidhjen totale për ta: Destabilizimin e rendit kushtetues në vend!”.

Sipas tij, ajo që po ndodh këto ditë është beteja e fundit, finale, kundër reformës në drejtësi.

“Betejat e vogla kanë ndodhur gjithnjë në përpjekje për të kushtëzuar reformën, vendimet për të, votën me ngjarje të tjera ku është dashur prezenca e tyre; I kanë humbur! Bllokimi ka ndodhur por është mundur!..”.

Sipas tij, kundër reformës “i lidh një nevojë personale, individuale e disa njerëzve bërë sa një grusht për të njëjtin hall”  

“Duan prokurorët e gjykatësit e tyre, nuk rrojnë dot si politikanë pa ta! Pa ta janë pa pushtet, pa status...”

Braçe garanton se nga PS nuk ka lëkundje sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi.  

“PS është e vetmja fuqi politike në këtë vend me reformën në drejtësi; Sulmohet, goditet për ta përçarë, ndarë për reformën tani, me synim që ky të jetë fundi i reformës, fundi i përpjekjes për drejtësi të pastër, të pavarur nga politikanët, një pakicë biznesmenesh, kriminelët, të barabartë”, shkruan ai.

Dhe ja ku Braçe bëhet më i drejtpërdrejtë, duke drejtuar gishtin.

“Presidenti i Republikës që po synon këtë, synon fundin e reformës, por edhe fundin e PS! Do të humbin edhe një herë më shumë; Kanë bllokuar por janë mundur, e kanë provuar edhe një herë më shumë por kanë dështuar, nuk kanë cënuar dot shtyllat bazike të reformës, nuk kanë mbrojtur dot asnjë prokuror e gjykatës nga rrethi i tyre politik apo i korrupsionit, nuk kanë mundur të rimarrin të drejtën për të emëruar drejtësinë e re!“.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë