Futboll

‘Boxing Day’, Arsenali fiton me përmbysje dhe kryeson bindshëm Premier Ligën

Gazeta Si – Premier Liga ka luajtur disa nga ndeshjet e javës së 16-të në ‘Boxing Day’. Arsenali kryesues ka mundur 3-1 Uest Hemin dhe ka thelluar diferencën me Mançester Sitin në 8 pikë për momentin (qytetarët kanë 2 ndeshje më pak).

Ishte një fitore me përmbysje nga Granit Xhaka me shokë, pasi pjesa e parë përfundoi me avantazhin 0-1 të Uest Hemit. Në pjesën e dytë, brenda pak minutash, ‘Topçinjtë’ shënuan tri herë me Saka, Martineli dhe Nketiah. Në stadium ishte i pranishëm edhe ish-trajneri i Arsenalit, Arsen Venger.

Në ndeshjet e tjera, Totenhemi i Kontes arriti të rikuperonte nga 0-2 në 2-2 ndaj Brentfordit. Njukasëlli vazhdon serinë e fitoreve. Këtë herë ka mundur 0-3 Leiçesterin në transfertë dhe është ngjitur në vend të dytë. Fitore surprizë ishte ajo e Volverhemptonit në fushën e Evertonit, 1-2.

Liverpuli e ka marrë veten pas eliminimit nga EFL Cup nga Mançester Siti. Në fushën e Aston Vilës skuadra e Klop ka marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Liverpuli shënoi me Salah në fillim dhe më pas dyfishoi me Van Dajk. Aston Vila shkurtoi diferencën me Mings, por goli u anulua nga VAR-i. I rregullt ishte goli i Uatkins në të 59-ën, ndërsa në fund i riu Bajçetiç mbylli llogaritë, duke e çuar rezultatin në 1-3.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë