Atletike

Botërori përvëlues, ja si do të shuhet i nxehti në stadiumin e Dohas

Të premten nis në Katar Botërori i atletikës. Temperaturat janë parashikuar se do të shkojnë mbi 40 gradë dhe zgjidhja është gjetur me 3000 kondicionerë, që do ta mbajnë temperaturën nga 24 në 26 gradë.

Parashikimet për ditën e parë të garave flasin qartë: temperatura më e ulët do të jetë 30 gradë, më e larta 38 gradë. Dhe do të jetë pak a shumë kështu gjatë gjithë aktivitetit, madje ndonjë ditë temperaturat do t’i kalojnë 40 gradë. Gjithsesi, në Doha nuk është një surprizë dhe organizatorët janë përgatitur për një Botëror përvëlues.

Për këtë arsye Botërori i atletikës zhvillohet në fund të muajit shtator dhe në fillim të tetorit. Garat zhvillohen gjatë pasdites dhe mbrëmjes. Edhe maratonat janë programuar të nisin në mes të natës, në orën 23:30 (ora lokale). Për fat të mirë, në stadiumin që do të presë garat, që nuk është i mbuluar, atletët nuk do të vuajnë nga i nxehti. “Khalifa International Stadium”, një nga stadiumet që do të presin edhe Botërorin e futbollit të 2022-shit, ka një sistem ajri të kondicionuar, që do t’u japë frymëmarrje atletëve pjesëmarrës. Po kështu, edhe spektatorët në shkallët e stadiumit me 40.000 vende, do të jenë në kushte komode.

Në stadium nuk do të jenë temperaturat e shkretëtirës që është përreth qytetit. Sistemi i ajrit të kondicionuar është eksperimentuar gjatë lojërave aziatike në prill dhe ka funksionuar për mrekulli. Një sistem që do t’i mbajë temperaturat nga 24 në 26 gradë, por që mund t’i ndryshojë sipas nevojave. Shqipëria përfaqësohet në këtë aktivitet vetëm me atleten Luiza Gega, e cila merr pjesë në garat e gjata dhe shpreson që të marrë medalje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë