Futboll

Botërori i klubeve, FIFA projekton një model të ri

Këshilli i FIFA-s do të mblidhet të premten për të miratuar modelin e ri për botërorin e klubeve. Do të jetë një format i ri me 24 ekipe që pritet të startojë që prej qershorin e vitit 2021. Sipas Associated Press projekti ka kaluar nga faza ideore dhe tashmë pritet t’ju parashtrohet anëtarëve të këshillit për miratim, që i hap rrugën implementimit.
Projekti për rishikimin e Kupës Botërore për klube është në fakt një nga idetë kryesore të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili synon një format të ri për të gjeneruar interes më të madh për këtë kompeticion. Megjithatë, në muajt e fundit nuk kanë munguar polemikat mbi turneun e ri, në lidhje me investitorët e gatshëm për të paguar 25 miliardë dollarë, por megjithatë nuk zbulojnë se kush mund të jenë investitorët potencialë.

Megjithatë, të premten në Miami, Këshilli i FIFA-s do të thirret për të votuar vetëm për formatin e ri të turneut. Plani është që të luhet në këtë turne të ri nga 17 qershori deri më 4 korrik 2021, në vendin e rezervuar paraprakisht për Kupën e Konfederatave, e cila zakonisht shërben si një ngjarje testuese para Kupës Botërore për ekipet kombëtare, por në vitin 2021 ky eveniment nuk do të luhet në Katar, duke pasur parasysh temperaturat e larta. Sipas raportit prej 17 faqesh për turneun e ri, pesë nga gjashtë konfederatat mbështetën projektin e turneut me 24 ekipe që pritet të fillojë në vitin 2021. Fillimisht FIFA donte të hynte me 12 skuadra europiane, por pasi UEFA këmbënguli për tetë, u ul numri me katër ekipe.

Në edicionin e parë, Amerika e Jugut do të ketë gjashtë vende, tre ekipe nga Afrika, Azia dhe CONCACAF, ndërsa Oqeania vetëm një ekip. Formati do të jetë i ndarë në 8 grupe me nga tre skuadra, me fituesit e secilit grup që përparojnë në çerekfinale. Ekipet do të luajnë dy deri në pesë ndeshje në një hark kohor jo më të gjatë se 18 ditë. Megjithatë duke qenë se jemi dy vite larg shumë detaje pritet të punohen dhe mund të ndryshojnë në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë