Futboll

Botërori i Katarit, tani nuk është më vetëm një çështje futbolli

Shoqërimi në polici i Mishel Platinisë për çështjen e Kupës së Botës “Katar 2022” ngre shumë pikëpyetje që shkojnë përtej aspektit futbollistik. Është ende shpejt për të dhënë një gjykim, por organizimi i Botërorit nga Katari ishte edhe një vendim politik. Katari, një vend i vogël me 2 milionë banorë, pa traditë në futboll dhe me një klimë shumë të papërshtatshme për të luajtur futboll, në momentin që fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit, nuk kishte as stadiumet për një turne të tillë.

Një situatë që e detyroi FIFA-n për ta spostuar Botërorin në dimër, duke shkaktuar bllokimin e turneve ndërkombëtarë për dy muaj. Hera e parë që ndodh në historinë e futbollit. Por Katari kishte nevojë për këtë event, në mënyrë që të kishte një vëmendje më të madhe mediatike botërore dhe që të veçohej nga turbulencat gjeopolitike në rajon.

Ish-presidenti i FIFA-s, Blater, shpall Katarin organizator të Botërorit 2022

Në gjithë këtë histori, mund të ketë një lidhje me çështjes “Platini” dhe tensioneve në rritje mes Amerikës dhe Iranit. Nuk mund të harrojmë rolin e gjerë që luan Katari në Lindjen e Mesme. Është vendi, ku ndodhet baza më e rëndësishme ushtarake amerikane, ka raporte të mira me Iranin dhe raporte të këqija me Arabinë Saudite, akuzohet se financon terrorizmin islamik, por është shumë i sjellshëm me Izraelin. Prej dy vitesh vuan embargon e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit dhe Egjiptit. Një situatë që godet edhe futbollin: Kupa e Azisë 2019, e fituar në mënyrë surprizë pikërisht nga Katari, edhe pse organizohej në Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend në kufi me Dohan, e detyroi ekipin e Katarit të udhëtonte nëpërmjet Omanit për të shkuar në stadiumet ku luheshin ndeshjet, ndërsa tifozët e ndoqën ekipin e tyre nga televizori.

Tani logjikshëm ngrihet pyetja: a rrezikohet vërtet Botërori 2022? FIFA e Infantinos, që nuk është si ajo e Blaterit, duhet të vendosë shpejt për vendin organizator të Botërorit 2030, që kërkohet aq shumë nga Kina, por edhe këtu hyjnë në lojë shumë faktorë të tjerë jashtë futbollit. Futbolli, tani më shumë se kurrë më parë, është një instrument për të balancuar ose destabilizuar ekuilibrat gjeopolitikë. Për sa i takon hetimit të “Katar 2022”, pritet të ketë të tjera lajme të bujshme, të paktën deri sa Katari nuk do të ketë vendosur të diskutojë sërish me Uashingtonin për situatën gjeopolitike mjaft të çbilancuar kundrejt Iranit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë