Futboll

Botërori i 100-vjetorit, 4 vende latine bëhen bashkë për organizimin

Gazeta Si – Kandidatura e 4 vendeve amerikano-jugore për organizimin e Kupës së Botës 2030 është zyrtare. Do të jetë Botërori i 100-vjetorit.

"Jemi në këtë vend ikonik, ku nisi hitoria”, - ka thënë presidenti i Conmebol, Alejandro Dominguez, teksa fliste nga stadiumi 'Centenario' i Montevideos. Pikërisht aty është luajtur finalja e parë e Kupës së Botës. Uruguaji fitoi ndaj Argjentinës 4-2.

Tani këto vende fqinje janë bashkuar me Paraguajin dhe Kilin për organizimin e Botërorit 2030. Katër vendet kanë bërë lëvizjen e tyre me slloganin ‘Juntos 2030’ (Bashkë 2030).

Alejandro Dominguez, presidenti i Conmebol. Gazeta Si, 2 gusht 2022

"Ky nuk është projekti i një qeverie, por ëndrra e një kontinenti të tërë, - ka shtuar Dominguez. – Do të ketë Botërorë të tjerë, por 100 vitet festohen vetëm një herë". Ideja e një oferte amerikano-jugore për 2030-ën është propozuar fillimisht nga Uruguaji dhe Argjentina në 2017-ën.

Dy vjet më pas u shtuan edhe Kili me Paraguajin, duke u bërë 4 vende, por u deshën edhe 5 vite të tjera për ta bërë zyrtare ofertën e organzimit të këtij Botërori. "Nuk mund të bazohemi vetëm te ndjenjat, duhet të bëjmë pjesën tonë që të jemi në gjendjen e duhur për këtë turne”, - ka shtuar Dominguez.

Detajet e ofertës nuk janë bërë të ditura. Ato do të prezantohen në maj të 2023-shit në FIFA, që do të vendosë në 2024-ën për vendin ose vendet që do të presin Botërorin e 2030-ës.

Duke nisur nga 2026-a, numri i pjesëmarrësve në Botëror do të shtohet në 48 skuadra. Në garë janë edhe Spanja me Portugalinë, kurse Britania e Madhe dhe Irlanda hoqën dorë, duke u fokusuar tek Euro 2028.

Maroku ende nuk e ka konkretizuar dëshirën për të qenë vendi i dytë afrikan që pret një Botëror, pas Afrikës së Jugut në 2010-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë