Futboll

Botërori 2022 me 48 skuadra. Pse FIFA këmbëngul kaq fort!

Një studim i detajuar analizon mundësinë e zgjerimit të Botërorit, duke kaluar në një kompeticion me 48 skuadra. Ka disa probleme që duhen zgjidhur, ndërkohë që përfitimet financiare nga formati i ri do të ishin marramendëse. Një kampionat botëror me 48 skuadra në Katar, në vitin 2022, tashmë nuk është thjesht një hipotezë.

Agjencia “Associated Press” ka bërë publik një studim të detajuar të FIFA-s, të dokumentuar në 81 faqe, ku zbulohen disa të reja, që mund të sjellin zgjerimin e kompeticionit më të ndjekur në botë. “Çelësi” për ta bërë turneun me 16 kombëtare më shumë në një vend të vogël si Katari, është përfshirja në këtë organizim i vendeve të tjera. Situata e përgjithshme politike në rajon, me Katarin që në vitin 2017 ka prishur raportet me Arabinë Saudite, Emiratet Arabe dhe Bahreinin, mund të sjellë shtrirjen e kompeticionit në Kuvajt dhe Oman. Formati i fazës fillestare do të ishte me 16 grupe me nga 3 skuadra dhe mund të parashikojë edhe 6 ndeshje në ditë. Dy skuadrat e para do të kalojnë në 1/16-at dhe më pas nis faza me eliminim direkt. Në total do të luhen 80 ndeshje. Ky projekt do të diskutohet në Këshillin e FIFA-s, i programuar për të premten në Majemi, për t’u votuar pastaj në qershor.

Çështja më e rëndësishme e projektit lidhet me stadiumet dhe udhëtimet e skuadrave nga një vend në tjetrin. Katari nuk kufizohet as me Omanin dhe as me Kuvajtin. Nuk ka rrugë tokësore dhe duhet udhëtuar me avion, për të mos cënuar hapësirat e mbyllura për shkak të situatës politike në rajon. Çështja tjetër lidhet me stadiumet, sepse në Katar do të jenë 8 impiante për ndeshjet e Botërorit, të gjithë në një rreze prej 55 kilometrash. Për të zgjeruar formatin me 48 skuadra duhen të paktën edhe dy stadiume, që të bëhen 10, edhe pse idealja do të ishte të jenë në dispozicion 12 stadiume. Sipas FIFA-s, për Botërorin e 2026-ës me 48 skuadra, kapaciteti minimal i stadiumeve duhet të jetë 40 mijë vende dhe në gjendjen aktuale Kuvajti mund të garantojë vetëm një, stadiumin “Jaber Al-Hamad”. Omani, me këto përmasa, nuk ka asnjë stadium, sepse stadiumi në Muskat nuk ka më 40 mijë vende, por 34 mijë, pas ristrukturimit. Të behet sërish me 40 mijë vende, duhet një ndërhyrje urgjente, por nuk është e pamundur.

Një nga stadiumet, ku do të luhen ndeshjet e Botërorit në Katar

Studimi i FIFA-s përmban edhe detaje për 16 skuadrat që do të shtohen në Botëror. UEFA, - që është kundër zgjerimit të Botërorit me 48 skuadra, siç ka thënë 4 muaj më parë presidenti Ceferin, – mund të çojë në Botëror 3 skuadra më shumë. Pra, nga 13, bëhen 16 skuadra europiane në Botëror. Afrika mund të kalojë nga 5 në 9 skuadra, Azia nga 4.5 në 8.5, Amerika e Jugut nga 4.5 në 5, Konkakaf nga 3.5 në 6.5 dhe Oqeania nga 0.5 në 1.
Arsyet e zgjerimit të parakohshëm të një Botërori janë lehtësisht të kuptueshme: shtohen ndjeshëm të ardhurat financiare. Sipas studimit, bëhet fjalë për një shtim prej të paktën 400 milionë dollarësh, ku 121.8 milionë shtohen nga e drejta televizive, 120 milionë nga sponsorët, 68 milionë nga shitja e biletave, 15 milionë nga paketat e ndryshme të vendeve pritëse dhe 7.5 milionë nga akordi me licenca të ndryshme. Arsyeja tjetër ka të bëjë me konsensusin, sepse të bëhet menjëherë një Botëror me 48 skuadra do të ishte një goditje e fortë nga Xhani Infantino.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë