Ekonomi

Dritat i paguajmë të gjithë, por Shteti mbetet borxhliu më i madh i OSHEE-së

Pandemia e Covid-19 krijoi një rritje të përgjithshme të borxhit ndaj OSHEE në vitin 2020 pasi familjarët dhe institucionet shtetërore nuk kanë paguar në kohë faturat e tyre të energjisë.

Rritja më e madhe e borxhit i takon institucioneve jo buxhetore si shkollat, spitalet dhe ujësjellësi.

75.6 miliardë lekë është gjendja debitore ndaj OSHEE në vitin 2020 e cila është rritur me 4.2% ose e përkthyer në 24 milionë euro, në krahasim me 2019.

Borxhi i ndërmarrjeve të ujësjellësve arrin në 17 miliardë lekë për të cilin është kërkuar angazhim nga qeveria qendrore për shkak se kompanitë publike nuk mund ta përballonin të vetme.

Borxhi i akumuluar për kategorinë e familjarëve është 46.7 miliardë lekë dhe ka shënuar një rritje me 0.2% nga viti 2019.

Rritja më e madhe është shënuar nga institucionet buxhetore të qeverisë qendrore. Debia e tyre në total ndaj OSHEE në fund të 2020 ishte 4.1miliardë lekë e cila ka pësuar një rritje prej 11.5% që nga viti 2019.

Biznesi apo kategoria private kanë qëndruar në nivelin e 11.1 miliardë lekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë