Ekonomi

Borxhi i Jashtëm Bruto u rrit me 3% për tre muaj/Kontribuoi kursi i euros

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë arriti në 8.852 milionë euro.

Borxhi i tremujorit të parë i 2021 rezulton 3% më i lartë nga niveli në fundvitin 2020, si pasojë e rritjes së borxhit të jashtëm publik. Sipas Bankës së Shqipërisë, 90% e borxhit të jashtëm bruto është afatgjatë.

Borxhi i Jashtëm Bruto në raport me PBB u rrit nga 65.8% në 67.3%.

Në rritje ka kontribuar rritja e transaksioneve neto në euro me vlerë 213.1 milionë, ndjekur dhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit valutor me kontribut 80.5 milionë euro.

Sipas BSH-së, zhvillimet kryesore, gjatë tremujorit, i përkasin rritjes së detyrimeve të Qeverisë së Përgjithshme me dy linja të reja krediti: IBRD (80 milionë USD) dhe EC/EU (90 milionë EUR).

Monedha europiane, euro, është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, në rreth 68% të totalit, e ndjekur nga SDR (rezerva e vendeve anëtare të FMN-së) me 12% dhe USD me 9%.

39% e tepricës së Borxhit të Jashtëm Afatgjatë mbahet nga kreditorët publikë, ndërsa 11% i përket bankave të huaja që marrin Eurobondin qeveritar.

Kreditorët publikë mbajnë pjesën më të madhe (39%) të tepricës së borxhit të jashtëm afatgjatë. Zotërimet e bankave të huaja në Eurobondin qeveritar shënojnë rreth 11% të BJB-së afatgjatë.

Kreditorët privatë mbajnë rreth 12% të tepricës së BJB-së në maturitetin afatgjatë.

Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 48% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sektorëve të tjerë 35%, Sistemit Bankar 16% dhe Autoritetit monetar 1%.

Sipas BSH-së, detyrime e qeverisë në BJB deri në fund të marsit 2021 vlerësohen 4.292 milionë euro dhe prezantohen vetëm në instrumente afatgjatë, të tilla si hua, obligacione dhe dëftesa. Në krahasim me fundin e vitit 20201, ka pësuar një rritje prej 181 milionë eurove.

Teprica e detyrimit të Autoritetit Monetar ose Bankës Qendrore, shënon 56 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë