Futboll

Borusia Dortmund dominon merkaton, 80 milionë euro për 3 blerje

Pak ditë pasi është hapur zyrtarisht merkatoja në Gjermani, Borusia Dortmund ka rrëmbyer skenën, duke u bërë protagoniste absolute me tri blerje të rëndësishme brenda dy ditësh. Klubi verdhezi ka shpenzuar në total rreth 80 milionë euro për të forcuar krahët e mbrojtjes dhe mesfushën. Drejtuesit e Borusias e kanë marrë shumë seriozisht merkaton e kësaj vere dhe tashmë kanë zyrtarizuar mbrojtësin e krahut të majtë Niko Shulc, të cilin e kanë marrë nga Hofenheimi për 25 milionë euro.

Niko Shulc, blerja e parë e Borusia Dortmund

Një ditë pas blerjes së parë, Borusia ka zyrtarizuar blerjet e Thorgan Hazard (vëllai i Eden Hazard) nga Borusia Mënshengladbah për 28.5 milionë euro dhe pak orë më pas edhe atë të Julian Brandt, i blerë nga Bajer Leverkusen për 25 milionë euro. Për momentin, klubi i Borusias është i vetmi që ka bërë tri blerje brenda një kohe kaq të shkurtër. Janë të tre lojtarë të evidentuar në Bundesligë me skuadrat ku janë aktivizuar dhe që sezonin e ardhshëm pritet t’i ndihmojnë verdhezinjtë për të fituar titullin kampion. Trajneri Lusien Favre do të ketë një grup më të kompletuar sezonin e ardhshëm. Borusia ishte shumë pranë titullit edhe sezonin që sapo përfundoi, por e humbi garën me Bajernin e Mynihut në javën e fundit të kampionatit.

Thorgan Hazard prezantohet te Borusia Dortmund

Borusia Dortmund është një skuadër që dallohet për mundësinë që u jep futbollistëve të ndryshëm të rriten profesionalisht dhe të bëhen nga më të kërkuarit në treg. Janë të shumtë emrat që kanë kaluar në klube më të mëdha, pasi kanë shkëlqyer me fanellën e Borusias. Rasti i fundit është ai i sulmuesit Toni Pulisiç, i cili është shitur te Çelsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë