Futboll

Boom shitjesh dhe miliona euro për klubet shqiptare, menaxheri Enis Ibrahimi tregon ‘sekretet’

Nga Fatjon Rupi - Kurrë më parë futbolli shqiptar nuk ka qenë një produkt kaq i lakmuar për tregun e huaj. Janë disa shitje të bujshme lojtarësh nga kampionatet tona, që janë bërë në verë dhe tani në janar. Dhe miliona euro në arkat e klubeve tona. Kemi të bëjmë me shifra të paimagjinueshme deri pak kohë më parë.

Xhuljano Skuka prezantohet te Metz. Gazeta Si, 25 janar 2023

Xhuljano Skuka la Partizanin dhe sapo ka kaluar në Francë për 1.4 milionë euro, Redon Xhixha u transferua nga Tirana te Karabagu në Azerbajxhan për 550 mijë euro dhe portieri Simon Simoni i Dinamos firmosi për Eintraht Frankurtin për 600 mijë euro. Në verë po ashtu ka pasur lëvizje të tjera, si Taulant Seferi, Ardit Toli dhe Enur Totre. Të tjerë lojtarë të klubeve kërkohen zyrtarisht nga klube të huaja.

Shqipëria ka prodhuar gjithmonë talente, tani ndoshta pak më shumë, por nuk mund të mohohet se menaxhimi është shumë më ndryshe se më parë. Janë menaxherët ata që lidhin fijet e transferimeve, siç është rasti i Enis Ibrahimit. Menaxheri shqiptar ka bërë një transferim të veçantë me portierin Simoni, që nga një ekip i Kategorisë së Parë si Dinamo, kaloi në një ekip Championsi si Eintraht Frankfurt.

Menaxheri Ibrahimi flet Për Gazeta Si për këtë boom transferimesh, për rastin konkret të Simonit dhe mënyrën si funksionon tregu i huaj në raport me atë shqiptar.

Enis Ibrahimi me mbrojtësin Behiratçe të Tiranës. Gazeta Si, 25 janar 2023

Më shumë lojtarë të talentuar, apo menaxhim më i mirë?
“Mendoj që janë të dyja gjërat të ndërlidhura, - thekson Ibrahimi për Gazeta Si. - Në Shqipëri ka pasur talente vazhdimisht, por tashmë klubet dhe po ashtu edhe FSHF-ja kanë kuptuar se po krijove infrastrukturë dhe interes rreth futbollit, zhvillimi dhe evidentimi i talenteve te reja vjen automatikisht.

Superiorja po krijon një audiencë të mirë në tregun europian. Ajo që e penalizon pak ka të bëjë me faktin se shqiptarët për tregjet e rëndësishme quhen ekstrakomunitarë. Pastaj, ana menaxheriale është po ashtu shumë e rëndësishme. Jo të gjithë e kuptojnë drejt rëndësinë e menaxherit, disa e konceptojnë menaxherin thjesht si një njeri që të ndihmon të dalësh jashtë. Ka edhe klube që e shohin menaxherin si problem.

Unë mendoj ndryshe, menaxheri duhet të jetë figura që rrit nga ana profesionale si lojtarin deri në momentin qe ai është gati për të bërë një hap përpara në karrierë, por krijon edhe mundësi arkëtimi te klubet”.

Enis Ibrahimi dhe portieri Simoni në momentin e firmës me Eintraht Frankfurt. Gazeta Si, 25 janar 2023

Simoni një rast i veçantë
Më tej menaxheri flet për rastin konkret të portierit Simon Simoni, një nga lëvizjet më të bujshme, sepse bëhet fjalë për një transferim në një ‘top-club, siç është Eintrahti i Frankfurtit: “Lëvizja e Simonit e ka zanafillën shumë të hershme. Duke u nisur nga aftësitë teknike, po ashtu edhe nga cilësitë njerëzore të djalit, është bërë një punë e padukshme dhe e bazuar te një projekt i mirëmenduar.

Është punuar nga klubi ku është rritur, Dinamo, që gjej rastin ta përgëzoj për gjakftohtësinë dhe vëmendjen e duhur që ka dhënë për më të mirën për Simonin, por edhe për faktin që ka ruajtur mundësi fitimi në të ardhmen nga ky operacion. Ne kemi qenë të bindur se do vinte kjo ditë.

Të mos harrojmë se Simoni ka pasur oferta zyrtare nga Sportingu i Lisbonës që para dy vitesh. Nuk u bë e mundur lëvizja për arsye të rregullores së FIFA-s për transferimin e të miturve. Pastaj kishte oferta nga Alaniaspor dhe Braga verën që kaloi, por në fund zgjodhëm Frankfurtin, sepse është një ndër ekipet më të mira në Europë aktualisht.

Besojmë se do të jetë në panoramën europiane të fashës së parë për shumë vite, por edhe për projektin që vetë klubi ka për Simonin, i cili besoj se do na bëjë të gjithëve ne shqiptarëve të krenohemi me të”.

Menaxheri Enis Ibrahimi duke ndjekur një ndeshje në 'Air Albania'. Gazeta Si, 25 janar 2023

Trendi aktual, cili është tregu më i mirë
“Aktualisht mendoj se jemi më shumë drejt kampionateve të lindjes, që mbase metaforikisht duket si një hap prapa, por duke parë rritjen e futbollit turk dhe të disa shteteve të tjera, mendoj se është më i favorshmi. Është hapi i duhur për talentet shqiptare, sepse për hir të së vërtetës, për të kapur top-ligat europiane, na duhet shumë punë akoma, por nuk mendoj se është e pamundur”, - pohon Ibrahimi.

Sa e vështirë është marrëveshja me shumë palë të interesuara
“Si çdo punë edhe mbyllja e marrëveshjeve ka vështirësitë e saj. Madje shpesh penalizohen edhe lojtarët, kur ka shumë palë të interesuara. Por, nëse një produkt është i vlefshëm, arrihet gjithmonë një dakordësi e shëndetshme dhe që nxjerr të kënaqur të gjitha palët.

Mendoj që ekipet e kampionateve kryesore zakonisht paguajnë çmimin e duhur në bazë të cilësisë se lojtarëve. Dhe sidomos janë korrekt në pagesa. Si shifra, ka kampionate nga lindja që mbase paguajnë për arsye të ndryshme edhe çmime të egzagjeruara për një lojtar. Dhe kjo s’i bën mirë as lojtarit dhe as ekipeve. Lëvizjet e fundit i bëjnë mirë tregut të futbollit në Shqipëri dhe sidomos fëmijëve, të cilët ëndërrojnë të bëhen profesionistë në të ardhmen”, përfundon menaxheri shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë