Futboll

“Boom merkato” ekipet italiane në lëvizjet e fundit

Është dita e fundit e merkatos në Europë për pjesën më të madhe të merkatos dhe sot mbyllen disa lëvizje të fundit. Më aktive në këto orë të fundit janë shfaqur ekipet italiane. Roma, Napoli, Inter dhe Milan janë katër ekipet ku priten lëvizjet më të bujshme këto orë. Në qendër të këtyre zërave të merkatos janë kryesisht sulmues, disa që ikin dhe të tjerë që vijnë.

Te Roma, pasi ka arritur Nikola Kaliniç pritet dhe një tjetër goditje e bujshme. Mediet italiane mëngjesin e kësaj të hënë janë hapur me lajmin se kryeqytetasit roman janë shumë pranë transferimit të sulmuesit armen, Henrik Mikitarian. Futbollisti i Arsenalit këtë sezon është jashtë planeve të trajnerit dhe drejtuesit e kanë nxjerrë në merkato. Orët e vona mbrëmë ka pasur kontakte mes dy klubeve dhe agjentit të lojtarit dhe pritet që sot Mikitarian të zbarkojë në Romë, ku do të firmosë dhe kontratën për tu vënë më pas në dispozicion të trajnerit Fonseka.

Por edhe Napoli ka lëvizur në këto orë të fundit. Presidenti Aurelio De Laurentis, pasi dështoi që të afronte një sulmues “big” i ka dhënë trajnerit Ançeloti një sulmues me eksperiencë si Fernando Lorente. Spanjolli që ishte pa kontratë i bashkohet Napolit, ku pritet të jetë një alternativë me vlerë për Ançelotin, kur sulmuesit e tij të parë do të kenë nevojë për pushim.

Edhe dy ekipet e Milanos prodhojnë lajme merkatoje këto orë të fundit. Milani në hyrë, ndërsa Interi në dalje. Kuqezinjtë janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes me sulmuesin kroat, Ante Rebiç. Nënkampioni i botës që pak kohë më parë ishte pranë Interit, duket se është bindur nga Maldini për t’ju bashkuar Milanit. Ndërsa për Interin pritet të marrë zgjidhje halli i madh i kësaj vere, Mauro Ikardi. Argjentinasi është shumë pranë largimit, me PSG që tani shikohet në pole position për ta marrë në Paris. Raportohet se Vanda Nara ka udhëtuar mbrëmë drejt kryeqytetit francez dhe pritet që Ikardi të firmosë sot në Ligue 1, gjithmonë nëse në orët në vazhdim nuk del ndonjë surprizë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë