Futboll

Bonuçi shuan sherrin te Juventusi, Lukaku zihet me Brovoziç

Shiriti i kapitenit në krah i ka dhënë Bonuçit më shumë përgjegjësi dhe ai e tregoi në Madrid se është më i miri në këtë fillim të sezonit te Juventusi. Një lider karizmatik brenda dhe jashtë fushe. Pas barazimit 2-2 me Atletiko Madrid, Bonuçi mbrojti shokët e skuadrës me fjalët: “Rrobat e pista i lajmë në shtëpi”. Një mesazh i qartë, që i referohej episodit të fundit të ndeshjes, kur pati një debat mes lojtarëve të Juventusit.

Në “Wanda Metropolitano”, kur Atletiko barazoi shifrat, pati tension te bardhezinjtë. Kuadrado, një nga më të mirët në fushë, ka debatuar me shokët, pasi disa prej tyre e akuzuan se kishte përgjegjësi në një prej golave të pësuar. Gjithçka ndodhi pikërisht para telekamerave. Dhe në atë moment ndërhyri kapiteni Bonuçi, i cili i ftoi shokët e skuadrës të diskutonin në dhomat e zhveshjes. Ai reagoi menjëherë për të vendosur paqen në skuadër, një lider i vërtetë.

Romelu Lukaku, sulmuesi i Interit. Gazeta Si, 19 shtator 2019

Tension edhe në shtëpinë e Interit. Romelu Lukaku po përjeton momentin e parë të vështirë tek Interi. Belgu është lojtari, tek i cili trajneri Antonio Konte ka ndërtuar projektin e tij, është lojtari simbol dhe investimi më i madh i klubit. Pas asaj nisjeje të mirë ai është ndalur në ndeshjen me Sllavian e Pragës në Champions, ku Interi barazoi 1-1, duke shkaktuar nervozizëm në radhët e zikaltërve.

Pas ndeshjes me Sllavian, në dhomat e zhveshjes Lukaku foli me shokët e skuadrës për lojën që nuk shkoi si duhet, kërkoi më shumë kujdes në mbrojtje, duke i ftuar të gjithë të ndiqnin planin taktik të Kontes. Por kjo gjë nuk u prit mirë nga Marselo Brozoviç, i cili mendon se belgu ka diçka personale me të dhe mes të dyve ka pasur një debat me fjalë fyese, ndërsa kontaktin fizik e shmangën lojtarët e tjerë. Brozoviç deshi të përballej nga afër me Lukakun, por u ndal nga shokët. Një reagim që kroati e ka pasur edhe më parë me një tjetër numër “9” tek Interi, me Mauro Ikardin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë