Futboll

Bombat molotov dhe gazi lotsjellës ndërpresin derbin e Greqisë

Ndeshja më e fortë e Superligës greke të futbollit mes Panathinaikos dhe Olimpiakos, e cilësuar si derbi i Greqisë, është ndërprerë në mes për shkak të trazirave mes tifozerive dhe policisë. Tifozët e Panathinaikos u përleshën me policinë jashtë stadiumit olimpik të Athinës dhe u përpoqën të sulmonin futbollistët e Olimpiakos brenda stadiumit.

Bombave molotov dhe sendeve të forta që fluturonin nga shkallët e stadiumit, policia greke iu përgjigj me gaz lotsjellës, si një tentativë për t’i zmbrapsur ata dhe të rikthente kontrollin në stadium. Por kontrolli i ndeshjes dhe kthimi në normalitet ishte shumë i vështirë për t’u vendosur në stadium. Në këto kushte arbitri Marko Fritz e ndali lojën në minutën e 70-të. Fillimisht ndeshja u ndërpre për gjysmë ore me qëllim që të rifillonte, por më pas u mor vendimi që ndeshja të mos rinistë më. Pas këtij vendimi të arbitrit, forcat speciale të policisë përdorën gaz lotsjellës duke detyruar fansat e Panathinaikos që të dilnin nga stadiumi për të evituar çdo përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. Shumica e 25,000 tifozëve të Panathinaikos që ishin të pranishëm në stadium u larguan të prekur nga gazi lotsjellës dhe me komplikacione të vogla shëndetësore.

Dhuna në fakt ishte e paralajmëruar në këtë përballje që njihet më atmosferën e zjarrtë që e shoqëron para dhe pas ndeshjes. Duke pasur parasysh këtë lloj atmosfere, tifozët e Olimpiakos nuk janë të lejuar që të futen në stadium në transfertë kur luhet me Panathinaikos. Loja u ndërpre për herë të parë në minutën e gjashtë, kur rreth 30 tifozë të Panathinaikos, disa të maskuar, hynë në fushë dhe sulmuan stolin e Olympiakos para se policia të ndërhynë. Tifozët synonin zëdhënësin e Olimpiakos, Kostas Karapapas, i cili e mbrojti veten.

Në këtë ndeshje për 70 minuta në fushën e lojës ishte edhe lojtari i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe. Mesfushori kuqezi ishte titullar me Panathinakos, por nuk ia doli që ta ndihmojë ekipin e tij që të merrte fitoren në këtë përballje derbi. Në kohën kur loja u ndërpre, Olimpiakos ishte duke fituar 1-0 dhe me shumë siguri do e marrë këtë fitore në tavolinë me rezultatin 3-0.

https://twitter.com/paulgray74/status/1107372519651192832

Panathinaikos, aktualisht është i shtati në ligë, kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje deri në mbylljen e kampionatit rrezikon të mbetet jashtë Europa League për sezonin e ardhshëm. Sipas rregullave të federatës greke Panathianaikos pritet të dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolnë dhe tre pikë zbritje nga tabela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë